“Duhet të pranohet gabimi dhe të mos përsëritet më”, Dugolli kundër Ministrisë së Mbrojtjes pas nderimit ndaj ushtarëve serbë

- in Lajme

Deputeti i Vetëvendosjes, Enver Dugolli ka dalë kundër njoftimit të Ministrisë së Mbrojtjes pasi ata pretenduan se nuk i kishin nderuar ushtarët serbë që vdiqën mes viteve 1912-1918.

Në ceremoninë e 104-vjetorit të përfundimit të Luftës së Parë Botërore, në varrezat e krishtera në Arbëri të Prishtinës, pamjet dëshmojnë se Garda e FSK-së nderoi ushtarët e rënë serbë, por Ministria e Mbrojtjes e mohon këtë.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Mbrojtjes, “Togu i Gardës Ceremoniale dhe Orkestra Frymore e FSK-së, me ftesë të Ambasadës franceze dhe Ambasadës gjermane, ka marrë pjesë në ceremoninë e organizuar për të nderuar rënien e ushtarëve francez dhe gjerman, gjatë Luftës së Parë Botërore, në periudhën 1914-1918”.

“Pllakat përkujtimore të të rënëve të këtyre dy kombeve, janë të vendosur në një hapësirë të përbashkët me pllakën e të rënëve serb të vitit 1912-1918, por që si ngjarje në periudhë kohore e as me aktivitetin në fjalë nuk kanë asnjë lidhje” thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Enver Dugolli, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, nuk është pajtuar me këtë njoftim të Ministrisë së Mbrojtjes.

“Çdo justifikim i këtij lloji është gabim në vetëvete. Duhet pranuar se ishte lëshim dhe gabim rreshtimi i ushtarëve tanë (pa fajin e tyre) para një pllake ku përkujtohen ushtarët serb të rënë në luftën e parë botërore të cilët historikisht dihet se kanë kryer krime të rënda ndaj shqiptarëve”, ka shkruar ai përmes një komenti në postimin e Ministrisë.

image 261

Kujtojmë se Dugolli është edhe anëtar i Komisionit për Siguri dhe Mbrojtje.

/GazetaSinjali/