Gjykata e Apelit refuzon ekstradimin e Dritan Goxhajt në Hagë. Gjyqtari i Apelit vendosi njëkohësisht shuarjen e masës së sigurisë “arrest në burg”.
Vendimi për ekstradimin u ankimua nga avokati i Goxhajt, Ardian Visha. Ish-ushtari i UÇK akuzohet për nxjerrjen e të dhënave të bashkëpunëtorëve të drejtësisë në çështjet që kanë të bëjnë me luftën në Kosovë.
Në dosjen që Top Channel publikoi në muajin gusht thuhet se fletë arresti nga një gjyqtar i vetëm u lëshua për Goxhajn, për shkak të një postimi më datë 1 janar 2023, nëpërmjet të cilit dyshohet se zbuloi informacion të mbrojtur jo publik për dëshmitarët.
Shkrimi që përmendet në dosje u publikua në llogarinë e “Facebook” me adresë Dritan Goxhaj dhe më tej artikulli u botua dhe te një agjenci lajmesh kosovare.
Informacioni që u zbulua përfshin emra, të dhëna personale dhe vendbanimin e dëshmitarëve të supozuar në proceset e dhomave të specializuar.
Një paralajmërim i Goxhajt se do të zbuloheshin të dhënat personale të dëshmitarëve dhe rrethana se ai mban përgjegjësi penale, përfshihet mes shkaqeve se përse iu kërkua Shqipërisë ta arrestojë.
Pasi gjykata e Tiranës la në fuqi masën e arrestit, avokati i Goxhajt këmbënguli refuzimin e ekstradimit.
I arrestuar në Tiranë me qëllim ekstradimi, Goxhaj dyshohet për veprat penale pengim i punës së zyrtarëve dhe frikësim i dëshmitarëve sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Kujtojmë se Goxhaj është djali i ish-zv.shefit të Shtabit të UÇK dhe kolonelit të njohur nga Shqipëria, Dilaver Goxhaj. Ai iu bashkua vullnetarisht luftës në Kosovë dhe ka qenë shoqërues i trupave amerikane gjatë vitit 1999./Demokracia