Drejtori i IPKO-s dyshohet për përfitime të paligjshme financiare

- in Lajme

Pak ditë para mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare të së dielës në Slloveni, Jani Möderndorfer, anëtar i komisionit hetimor parlamentar për financimin e paligjshëm të SDS-së, ka njoftuar se pas gjetjeve të komisionit hetimor parlamentar, do të paraqesë kallëzimin penal ndaj “Telekom Slovenije”, partisë së ish-kryeministrit slloven dhe një televizioni atje, për dyshimet se keqpërdorën paratë e kompanisë shtetërore për financimin e fushatës zgjedhore të Janez Jansha, në vitin 2018.

Pos “Telekom Slovenije”, kompanisë amë të IPKO-s në Kosovë, Jani Möderndorfer nga partia LMS, kallëzim penal, pas punës së komisionit hetimor parlamentar, ka paralajmëruar edhe ndaj kryeshefit ekzekutiv të IPKO’s Tomaz Seljak.

Seljak, gjatë periudhës kur dyshohet se ndodhi afera e bujshme financiare në Slloveni, ishte anëtar (CTO) dhe Zëvendëspresident, në detyrë, i Bordit Menaxhues të “Telekom Slovenije”, e më vonë u emërua edhe kryetar i bordit mbikëqyrës të ndërmarrjes shtetërore të telekomunikimeve në Slloveni.

Pos Seljak, Möderndorfer për siç e potencon ai për “dyshime për kriminale”, ai paralajmëron kallëzim penal edhe për anëtarët tjerë drejtues të “Telekom Slovenije”. Ai në një konferencë për media, më 15 prill 2022, paralajmëroi se kallëzim penal për të njëjtin rast do të paraqesë edhe ndaj SDS-së, partisë së Janez Jansha si dhe një televizioni lajmesh në Slloveni, NovaTv24.

Dyshimet e komisionit hetimor parlamentar janë se “Telekom Slovenje”, kompania sllovene e cila në Kosovë e ka 100% në pronësi IPKO’n, keqpërdori paratë publike për financimin e fushatës së Janez Jansha në vitin 2018, kur ky i fundit edhe i kishte fituar zgjedhjet.

Hetimi flet edhe për paratë nga Hungaria që dyshohen se interferuan në zgjedhjet e para katër vitesh në Slloveni, krahas parave publike të “Telekom Slovenje”, të cilat dyshohet se u keqpërdorën për financimin e Partisë Demokratike të Sllovenisë.

“Gjithçka është e verifikueshme”, tha ndër të tjera Möderndorfer, anëtar i komisionit hetimor parlamentar për financimin e paligjshëm të SDS-së, në një konferencë për media në parlamentin slloven, raporton Gazeta Online Reporteri.net.

Jani Möderndorfer, anëtar i komisionit hetimor parlamentar për financimin e paligjshëm të SDS-së

Skandali mori vëmendjen javën që shkoi edhe në mediat ndërkombëtare. “Financial Times” i kushtoi një artikull paralajmërimit të Moderndorfer për kallëzim penal ndaj zyrtarëve të Telekomit Slloven, dhe një tjetër afere të madhe financiare e cila shpërtheu pak ditë para zgjedhjeve të së dielës që e lamë pas në Slloveni, e ku u përfshi edhe ambasadori i Kosovës në Kroaci.

Tomaz Selkajk, ndaj të cilit është paralajmëruar kallëzim penal, nga nëntori i vitit të shkuar është zhvendosur me punë në Kosovë. Ai u emërua Kryeshefi Ekzekutiv i IPKO-s.

Gjatë punës hetimore të komisionit hetimor parlamentar në Slloveni, Seljak u thirr disa herë për t’u marrë në pyetje nga anëtarët e komisionit hetimor parlamentar në Slloveni, por ai nuk iu përgjigj ftesave, gjë për të cilën ka raportuar Gazeta Online Reporteri.net, më 30 mars të këtij viti.

“Z. Seljak mori ftesën për mbledhjen e cila u mbajt më 22 mars disa ditë pasi takimi ishte mbajtur”, kishte thënë para një muaji zyrtarja e IPKO-s, Afrika Zyferi.

Tutje, ajo pretendonte se “Keni informacion të pasaktë, pasi ndaj Tomaž Seljak nuk është ngritur asnjë procedurë – ai nuk është nën hetim nga komisioni parlamentar dhe as nga ndonjë institucion tjetër”, duke shtuar se kryeshefi i IPKO-s u ftua “si dëshmitar dhe jo si person nën hetim” në komisionin hetimor parlamentar.

Edhe pas paralajmërimit për ngritje të kallëzimit penal ndaj Tomaz Seljak, kompania IPKO, pretendon se ai në komisionin hetimor ishte ftuar vetëm, madje e theksojnë “ekskluzivisht”, si dëshmitar.

“Siç e kemi shpjeguar tashmë – dhe e theksojmë sërish – Tomaž Seljak ishte i ftuar në komision ekskluzivisht si dëshmitar. Kjo mund të kontrollohet dhe shihet lehtësisht nga ftesat e shpallura publikisht nga komisioni”, tha Afrika Zyferi nga IPKO në një përgjigje për Gazetën Online Reporteri.net, më 22 prill 2022.

Ajo shtoi se zyrtarisht nuk kanë ndonjë informacion nëse ndaj Seljak po zhvillohet ndonjë procedurë penale në Slloveni.

“As IPKO, as Telekom Slovenije, e as z. Seljak nuk kanë informacion për ndonjë procedurë në vazhdim, ne e dimë vetëm atë që kemi mësuar nga mediat. E nga deklaratat mediatike të nënkryetarit të komisionit duket qartë se komisioni nuk ka bërë kallëzim penal ndaj askujt”, thuhet në përgjigjen e zyrtares së IPKO’s.

Rreth aferës së bujshme financiare në Slloveni, ku dyshohet se u përfshi edhe kryeshefi ekzekutiv i IPKO’s sikurse kompania amë e saj, për Gazetën Online Reporteri.net ka folur edhe “Telekom Slovenje”.

Sipas tyre, “së pari, është e rëndësishme ta sqarojmë se Asambleja Kombëtare e Republikës së Sllovenisë ka themeluar disa komisione hetimore parlamentare por asnjëri prej tyre nuk është i fokusuar në hetimin e Telekomit të Sllovenisë apo përfaqësuesve të tij”.

“Në kuadër të komisionit hetimor, që mban titullin “Komisioni Hetimor për Hetimin e Shpëlarjes së Pretenduar të Parave në NKBM d.d., për financimin e dyshuar të paligjshëm të Partisë Demokratike Sllovene dhe Financimin e dyshuar të paligjshëm të fushatës zgjedhore të Partisë Demokratike Sllovene për Zgjedhjet e parakohshme për Asamblenë Kombëtare në vitin 2018”, tre përfaqësues të Telekomit të Sllovenisë janë ftuar në cilësinë e dëshmitarëve. As Tomaz Seljak e asnjë përfaqësues tjetër nga Telekomi i Sllovenisë nuk kanë qenë të përfshirë në ndonjë aferë sepse ata në fakt ishin të ftuar si dëshmitarë nga komisioni hetimor”, thuhet tutje në sqarimin e tyre.

“Tomaz Seljak nuk erdhi në seancën e komisionit sepse ai nuk mori ftesë për të qenë pjesë në seancën e parë ndërsa ftesën për seancën e dytë e mori tek pasi seanca veçse kishte përfunduar”, thuhet në përgjigjen e Telekom Slovenje.

Tomaž SELJAK, Kryeshef Ekzekutiv i IPKO

Kompania sllovene që e ka 100% në pronësi IPKO-n, krejt në fund sqaron se sipas tyre “gjatë periudhës kur komisioni hetimor po kryente punën e vet, Tomaz Seljak ishte pjesëtar i Bordit Drejtues dhe si i tillë ishte përgjegjës për teknologjinë, mirëpo jo për marketing”.

Gazeta Online Reporteri.net ka kërkuar informacione edhe nga autoritetet sllovene nëse kallëzimi penal ndaj Seljak, që aktualisht drejton një kompani të madhe të telekomunikimeve në Kosovë, është dorëzuar në Prokurori, por deri në botimin e këtij artikulli nuk ka marrë përgjigje.

Jani Möderndorfer, anëtar i komisionit hetimor parlamentar për financimin e paligjshëm të SDS-së, në konferencën për shtyp ku shpalli paralajmërimin për kallëzim penal ndaj Seljak dhe të tjerëve, tha se puna e komisionit hetimor të parlamentit slloven u pengua, sipas tij nga kryetari i këtij komisioni, Gregor Periç, për të cilin tha se qëndroi vazhdimisht në anën e koalicionit qeverisës gjatë periudhës kur komisioni parlamentar po kryente hetimet./reporteri.net