DREJTORESHA E ATSH-SË TAKIM ME DREJTUES TË KOSOVAPRESS-IT, BASHKËPUNIM PËR PROJEKTE TË PËRBASHKËTA

- in Lajme

Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Telegrafike Shqiptare, Valbona Zhupa priti sot në një takim Skënder Krasniqin, CEO i agjencisë së lajmeve KosovaPress në Kosovë, me të cilin bisedoi mbi thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit mes dy agjencive.

Gjatë takimit, drejtoresha e ATSH-së, Zhupa dhe CEO i KosovaPress, Krasniqi diskutuan mbi projektet e përbashkëta që kanë për qëllim informimin në fushën e ekonomisë dhe turizmit.

ATSH vitet e fundit ka shtuar gamën e informimit të opinionit publik me zgjerimin e shërbimeve shtesë si foto, video dhe intervista, çka ka rritur ndjeshëm interesimin e lexuesve. Shërbimi me video, reportazhe dhe intervista përfshijnë sidomos sektorët e ekonomisë, turizmit, agroturizmit dhe kulturës.

Prej disa vitesh ATSH dhe KosovaPress bashkëpunojnë sa i përket shkëmbimit të lajmeve, reportazheve dhe videove.

Në takim ishin të pranishëm edhe drejtoresha e përgjithshme e KosovaPress, Suzana Rakovica, Merita Gashi zv.drejtoreshë e KosovaPress dhe drejtoresha e Lajmeve dhe Multimedias në ATSH, Almarina Gegvataj./KP