Dredhia e Presidentes | Osmani vë në rrezik gjithçka, për të “shpëtuar” veten e nxit KQZ-në të shkelë Kushtetutën që të organizojë zgjedhje në veri pa vendimin e saj

- in Lajme
Kosovo President Vjosa Osmani speaks during an interview with The Associated Press in the capital Pristina, Friday, Sept. 29, 2023. Kosovo police on Friday raided several locations in a Serb-dominated area of the country's north, where weekend violence left one Kosovo police officer and three Serb insurgents dead and further strained relations between Serbia and its former province. (AP Photo/Visar Kryeziu)

“Në takim u diskutua lidhur me përgatitjet që po bëhen lidhur me kërkesën për zgjedhje të reja në veri të vendit, nëpërmjet mbledhjes së 20% të nënshkrimeve të trupit votues, ashtu siç parashihet në Ligjin për Vetëqeverisje Lokale dhe Udhëzimin Administrativ të hartuar për këtë çështje. Presidentja shprehu besimin e saj se KQZ-ja, si institucion përgjegjës për administrimin e votimit, do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e duhura dhe brenda afateve që ky proces të realizohet duke respektuar këtë të drejtë të qytetarëve në përputhje me procedurat dhe legjislacionin në fuqi”.

Ky është njoftimi i kabinetit të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, pas takimit me kryetarin e KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, në të cilin e para e vendit nuk tregon për hapat që do të ndërmarrë pasi që ky institucion të verifikojë nënshkrimet e mbledhura nga qytetarët serbë të komunave veriore të Kosovës, shkruan Demokracia.com.

Në këtë njoftim, Osmani shihet qartësisht se ka hequr dorë nga detyra e saj e përcaktuar në nenin 84 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe nenin 4 të Ligjit për Zgjedhjet Lokale.
Sipas këtyre dy dokumenteve është obligim i Presidentit të Republikës së Kosovës që të shpallë dhe caktojë datë për Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës dhe për Zgjedhjet Lokale.

Rruga që ka zgjedhur presidentja Osmani, duke mos u përfshirë në caktimin e datës së votimit ku qytetarët e komunave veriore do të deklaroheshin nëse janë për apo kundër shkarkimit të kryetarëve, mund të rrezikojë dhe dështojë të gjithë procesin.

Edhe pse mungon baza ligjore, pasi që kjo është hera e parë që Republika e Kosovës përballet me kërkesën për largimin e parakohshëm të një kryetari nga detyra e tij me anë të nënshkrimeve që mblidhen nga qytetarët e një komune, refuzimi i presidentes Osmani për t’u përfshirë në caktimin e datës së votimit mund ta bllokojë e rrjedhimisht edhe ta dështojë gjithçka që është arritur deri më tani në këtë proces.

Sipas Udhëzimit Administrativ të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), procesi i radhës që pason pas verifikimit të nënshkrimve është organizimi i procesit të votimit për largimin e kryetarëve nga funksioni.

Sipas UA-së, procesi i votimit për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni zhvillohet sipas procedurave dhe rregullave për zgjedhjet e përcatuara me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe Ligjin për Zgjedhjet Lokale.

Por, për tu aktizuar KQZ-ja, Presidenti i Republikës duhet të nxjerrë VENDIMIN me anë të të cilit caktohet data e votimit për largimin e kryetarëve.

Shmangia apo refuzimi i Osmanit për të nxjerrë VENDIMIN është taktizim politik i presidentes për të ruajur pozicionin e saj nga ndonjë shkelje evetuale e Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Por, kjo shmangie dhe refuzim, ka sjellë hapin tjetër të diskutueshëm të presidenes Osmani, nxitjen publike të KQZ-së për të shkelur Kushtetutën e Kosovës, duke organizuar procesin zgjedhor pa një vendim të saj. / Demokracia.com /