“Tash i mbetet Kryeministrit Kurti të bind numrin e nevojshëm të shteteve anëtare të KiE-së përmes mënyrave tjera, d.m.th duke ndërmarrë hapa të tjerë konkretë drejt krijimit të Asociacionit” – Ambasada e Gjermanisë në përgjigje me shkrim për Nacionalen.
Kushtëzimi (frankogjerman) i kompletuar i Kosovës për Këshill të Evropës është me “hapa konkretë dhe të paprapakthyeshëm” drejt Asociacionit; dhe QUINT-i me këtë kupton miratimin e draft-Statutit të Asociacionit dhe dërgimit të tij për rishikim kushtetues.
Kjo s’u pranua nga Qeveria e Kosovës, e cila pretendon se këto dy procese janë të pandërlidhura me njëra tjetrën ndërsa, shprehimisht, thanë dje pas takimit me QUINT-in se draft-Statuti në rend të parë s’është pranuar meqënëse s’është firmosur bilateralisht me Serbinë.
Kosovës i kanë mbetur 10 ditë kohë deri në mbledhjen e Këshillit të Ministrave.
QUINT sot u lajmërua, përkatësisht Gjermania e cila në përgjigje shpjegon se çka i kërkuan Kurtit dje në takim dhe si vazhdon të qëndrojë peizazhi për-ose-jo anëtarësimin e Kosovës në KiE.
Në një përgjigje për Nacionalen, Ambasada e Gjermanisë la të kuptojë që Kurti, gjer tash, s’e ka në mend t’i qëndojë thirrjes së QUINT-it “dhe vendeve të tjera” për çështjen e miratimit të draft-Statutit si “hap i prekshëm drejt Asociacionit i kërkuar si i nevojshëm për të arritur dy të tretat e nevojshme në Këshill të Ministrave”.
Por, na tha ambasada gjermane – në dritën e mospranimit të këtij hapi të prekshëm, të paprakthyeshëm dhe konkretë (Scholz, Macron) – “tash i mbetet kryeministrit Kurti të bind numrin e nevojshëm të shteteve anëtare përmes mënyrave tjera, d.m.th, të hapave tjerë konkretë drejt krijimit të Asociacionit”.
“QUINT-i dhe të tjerët kanë theksuar vazhdimisht se Kosova pritet të ndërmarrë hapa të prekshëm për themelimin e ASMM-së në mënyrë që të arrijë shumicën e nevojshme prej dy të tretave në Komitetin e Ministrave që aplikimi për anëtarësim të jetë i suksesshëm”.
“Sipas mendimit tonë, një hap i tillë do të ishte dorëzimi i projektstatutit në Gjykatën Kushtetuese. Siç tha ambasadori Rohde në postimin e tij në Twitter pas votimit në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës: ‘Kosova tani duhet të bëjë ngritjen e peshave të rënda’. Kjo ende nuk ka ndodhur”, tha ambasada gjermane për Nacionalen.
“Tashmë i takon kryeministrit Kurti dhe qeverisë së tij që të bindin numrin e nevojshëm të shteteve me mjete të tjera, pra duke ndërmarrë hapa të tjerë konkretë drejt krijimit të ASMM-së, të cilën Kosova është zotuar ta themelojë dhe për këtë arsye është obligim ndërkombëtar”, tha ambasada.
Edhe Mbretëria e Bashkuar u deklarua në një përgjigje për Nacionalen rreth anëtarësimit të Kosovës në KiE (ndonëse në Asamble Parlamentare prej 18 deputetëve britanikë, vetëm 3 prej tyre morën pjesë në votimin e Dora Bakoyanis) të cilët thanë se e mbështesin anëtarësimin e Kosovës, por se i mbetet Kosovës “të bëjnë ç’të munden” të sigurojnë votat e tjera.
“Mbretëria e Bashkuar mbështet anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe po e inkurajon Kosovën të bëjë gjithçka që mundet për të siguruar mbështetjen e nevojshme për një votim të suksesshëm në Komitetin e Ministrave”, tha ambasada britanike./Demokracia