Elvir Azizi do ta marr sot detyrën e drejtorit të përgjithshëm të SHSKUK-së.
Nga sot, Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës do të udhëhiqet nga drejtori i ri i përgjithshëm.
Azizi doli i pari në konkursin për këtë pozitë, ndërsa sot do ta marrë detyrën zyrtarisht nga Bordi Drejtues i cili edhe e përzgjedh kandidatin sipas Statutit të SHSKUK-së.
Lidhja e Azizit me Vitinë
Elvir Azizi për një kohë të gjatë ka këshilluar ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia. Ai shërbente si ekspert i jashtëm. Dorëheqja e tij pak para hapjes së konkursit për drejtor të përgjithshëm në SHSKUK, nxiste dyshime se konkursi veçse ishte kurdisur.
Azizi, ishte i angazhuar si ekspert i fushës së Farmacisë përmes një marrëveshje që kishte lidhur Banka Botërore me Ministrinë e Shëndetësisë.
Nga dhënia e ekspertizave për ministrinë e Vitisë ka dhënë dorëheqje në momentin kur ka parë konkursin për të parin e SHSKUK-së. Këtë e konfirmoi edhe vet Azizi në përgjigje për Insajderin.
“Jo, jo kam dhënë dorëheqje, para se me apliku për konkurs”, teksa shtoi se nuk i kujtohet saktë data se kur ka dhënë dorëheqje.
Nga Ministria e Shëndetësisë kanë thënë se “Zoti Azizi është angazhuar si Ekspert i fushës së farmacisë përmes njësisë koordinuese të Bankës Botërorë, me qëllim të zbatimit të marrëveshjes me Bankën”, por nuk kanë kthyer përgjigje për pjesën e kryerjes së pagesës.
I pyetur se nga kush i është ekzekutuar pagesa, Azizi ka thënë se nuk e di saktë, sipas tij mund të jetë kryer edhe nga MSH.
“Drejtën më të thënë nuk e kam këqyrë marrëveshja është mes Bankës Botërore, unë nuk e di qysh saktësisht kanë shkuar procedurat, por ajo është transparente ka qenë një proces i aplikimit në Bankën Botërore, aty kanë aplikuar jam përzgjedh si ekspert, kam kryer punën time dhe aq”, ka thënë ai për Insajderin.
Ai deklaronte se ka shërbyer si ekspert derisa mohonte të ketë pasur raport direkt me ministrin Vitia.
“Me ministrin nuk kam pasur punë, veç me pjesën administrative. Me ministrin njihemi, sikur këta të Prishtinës me njëri-tjetrin”, tha ai për Insajderin.
Ndërkohë “Kallxo”, ka raportuar për lidhjen mes dyshes, duke thënë se ata kanë qenë kolegë të studimeve.
Përveç kësaj, është publikuar edhe një fotografi e vitit 2017-të, e cila dëshmon për shoqërinë e Vitisë me tashmë drejtorin e ri të SHSKUK-së.
Fotoja ishte realizuar në kohën kur Vitia ishte drejtor i Shëndetësisë në Prishtinë, e cila në atë kohë udhëhiqej nga Shpend Ahmeti.
Si iu “pastrua” rruga Azizit për ta marrë sa më lehtësisht postin e drejtorit?
Garës për të parin e SHSKUK-së ia kishte mërsyer edhe Basri Sejdiu, ai ishte pjesë e listës së ngushtë. Por, ai u largua menjëherë pas raportimit të Insajderit që konkursi veçse ishte kurdisur.
Më 15 maj u publikua lista e ngushtë e kandidatëve për të parin e SHSKUK’së, pjesë e së cilës ishte edhe Basri Sejdiu. Emri i tij u fshi nga kjo listë një ditë më pas.
Pavarësisht se zyra e burimeve njerëzore në SHSKUK’së vlerësoi se Basri Sejdiu i plotëson të gjitha kushtet për kandidat për postin e drejtorit në këtë institucion, ishte Departamenti për Menaxhimin e Zyrtarëve Publikë në Ministrinë e Punëve të Brendshme që tha fjalën e fundit.
MPB kundërshtoi aplikimin e Sejdiut duke propozuar largimin e tij nga lista e ngushtë.
Këtë e kishte konfirmuar për Insajderin edhe avokati i Sejdiut, Florim Shefqeti.
I njëjti dyshonte se ky konkurs mund të jetë i kurdisur, për të përzgjedhur si drejtori, një kandidat tjetër të afërt me partinë në pushtet. Pra, Elvir Azizin.
Shefqeti potenconte se Sejdiu i plotësonte të gjitha kushtet për pozitën e drejtorit, duke shtuar se këtë gjë e kanë konfirmuar dhe zyra për burime njerëzore në SHSKUK dhe Ambasada Britanike.
Pavarësisht kësaj, Sejdiu nuk mori pjesë në konkurs.
Përveç Elvir Azizit, në garë për drejtor të SHSKUK ishin edhe Zef Ndrejaj që është drejtori aktual në Klinikën e Gjinekologjisë, e që sipas rezultateve, ka gjithsej 62.7 pikë si dhe Haqif Gashi, zyrtar në administratën e SHSKUK-së, i cili është poentuar me 58.9 pikë.
Bazuar në njoftim, kandidatët e pakënaqur me rezultatin mund të bëjnë ankesë brenda afatit kohor prej 15 ditësh nga dita e publikimit të rezultateve.
SHSKUK deri më tani është udhëhequr nga zv.drejtoresha Narqize Arenliu-Hoxha. Para saj në këtë pozitë ishte Pranvera Zejnulllahu, e cila u emërua pas dorëheqjes së ish-drejtorit Valbon Krasniqi para një viti./Demokracia