I dërguari i posaçëm i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, i cili po qëndron në Kosovë, ka thënë se me kryeministrin Albin Kurti dhe zëvendëskryeministri, Besnik Bislimin, janë pajtuar që të zbatohen të gjitha marrëveshjet e kaluara, e që në mesin e marrëveshjeve është edhe Asociacioni i komunave me shumë serbe në Kosovë, shkruan Gazeta Metro.
Në orët e vona të së mërkurës, Lajçak i cili po qëndron në Kosovë, ka shkruar se pas diskutimeve intenzive me kryeministrin Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrin, Besnik Bislimi, janë pajtuar që të zbatohen të gjitha marrëveshjet e kaluara që kanë dalë nga dialogu Kosovë-Serbi.
“U ktheva sot në Kosovë për të vazhduar diskutimet e mia të sinqerta, të hapura dhe intensive me Kryeministrin Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi për hapat e ardhshëm dhe rrugën përpara për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Ne gjithashtu ramë dakord që të gjitha marrëveshjet e kaluara të dialogut duhet të zbatohen plotësisht.”, ka shkruar Lajçak.
Duhet theksuar se një nga marrëveshjet e nënshkruara më herët në Bruksel në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi ka qenë edhe Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë, e që Kurti sa ish në opozitë e quante Zajednicë, e që me ngulm e kundërshtonte, por po del që ka pranuar të zbatohet, siç lenë të nënkuptohet nga Lajçak në reagimin e tij në Twitter./gazetametro.net