Donika Gërvalla po e bën “realitet” kërkesën e kamotshme të Albin Kurtit, po e “mbyllë” Ministrinë e Jashtme

- in Lajme

Duket se idenë e opozitarit të dikurshëm, Albin Kurtit, për mbylljen e Ministrisë së Punëve të Jashtme, po e bënë realitet pikërisht e emëruara e tij, Donika Gërvalla – Shwarz, duke e drejtuar këtë ministri të rëndësishme për Republikën e Kosovës.

Prej kohësh, kjo ministri është inekzistente, pasi mungojnë rezultatet konkrete të saj. Më shumë sesa sukseset e kryediplomates kosovare bëjnë lajm gabimet dhe huqjet e saj me përdorimin në rrjete sociale të flamujve të shteteve të ndryshme, shkruan Demokracia.com.

“MPJ duhet të mbyllet dhe të rihapet kur të kemi politikë të brendshme gjë që do ta rikuptimësonte drejt politikën e jashtme. Deri atëherë, kritikat për MPJ janë shpenzim kohe që i suplementohet shpenzimeve të parave të buxhetit të Kosovës për këtë ministri. Sepse, para së gjithash, nuk kemi të bëjmë me praktika të këqija, por me koncepte të gabuara”, propozonte Kurti vetëm pak kohë pas arritjes historike të Kosovës, që për herë të parë të themelojë Ministri të Jashtme.

Sigurisht se askush nuk e kishte dëgjuar këtë propozim kundërhistorik të liderit të Vetëvendosjes, i cili aktualisht është kryeministër i Kosovës.

Ministria e Jashtme e Kosovës filloi të ndërtohej vit pas viti, duke arritur edhe rezultate të konsiderueshme në marrëdhëniet ndërkombëtare me mbështetjen e fuqishme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe shteteve të fuqishme të Bashkimit Evropian.

Që nga ardhja në pushtet e Qeverisë Kurti, shteti i Kosovës nuk ka pranuar ndonjë njohje të pavarësisë së shpallur më 17 shkurt 2008. Gjatë këtyre viteve, Ministria e Jashtme nuk është shquar për sukese në këtë fushë, por dështimi i këtij dikasteri ka filluar të shfaqet edhe në aspekte të tjera.

PETKOVIQ NË AKSION SHTETËROR, GËRVALLA NË AKSIONE PARTIAKE

Derisa kryediplomatja kosovare është përqendruar në aktivitete partiake jashtë vendit, duke marrë pjesë në takime të partisë së saj, Guxo, Serbia ka hedhur në aksion zyrtarët e saj shtetërorë.

Së fundmi, drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petkoviq, është pjesë e nismës për të “demantuar” përfshirjen e këtij shteti në sulmet terroriste mbi intitucionet e Republikës së Kosovës, më 24 shtator 2023, në Banjskë të Zveçanit.

Më 9 tetor, Petkoviq, ka zhvilluar një takim pune në Bruksel me ambasadorët, përfaqësuesit e vendeve anëtare të Bashkimit Europian dhe përfaqësuesin e Komisionit Europian dhe Shërbimit Europian për Politikë të Jashtme. Sipas Beogradit zyrtar, Petkoviq për dy orë e gjysmë ka kundërshtuar pretendimet e palës kosovare. “Në kuadër të prezantimit, Beogradi ka mohuar gënjeshtrat e Prishtinës me dokumente, foto dhe video të shumta dhe ka paraqitur dëshmi që tregojnë qartë se Prishtina është rrënja e të gjitha problemeve”, thuhet në deklaratën e zyrës së Petkoviqit.

Fatkeqësisht, boshllëkun eventual të informatave për ngjarjen e 24 shtatorit, po e mbushë vetëm Serbia, derisa Ministria e Jashtme e Kosovës është krejtësisht pasive në sensibilizimin e qendrave të ndryshme vendimmarrëse dhe prezantimin e fakteve të shumta e të pakundërshtueshme për rolin e Serbisë në sulmin terrorist.

Deri më tani, Qeveria e Kosovës, më shumë është përkujdesur për prezantimin e fakteve vetëm për opinionin e brendshëm, ndërkaq në pak raste, përmes disa intervistave nga kryeministri Kurti dhe presidentja Osmani, kjo është bërë për opinionin ndërkombëtar. / Demokracia.com/