Jeta dhe vdekja, pra amshimi, i ka lidhur njëri me tjetrin, deklaroi dom Lush Gjergji, në “Aktual”, në RTK.
Ai sqaroi për për motivin e një ngjarjeje që do të ndodhë sot në Katedralen “Nëna Tereze”, ku, sipas tij, këtë po e bëjnë në shenjë nderimi, sepse na kanë nderuar neve, si popull dhe si vend.
“Për të nderuar këta dy personalitete në 15 vjetorin e vdekjes së tyre, ne kemi vendosur ta bëjmë rivarrosjen e Ipeshkvit Mark Sopi, në kripten e Katedrales së shenjtores Nëna Tereze, si dhe përurimin e shtatores së presidentit Rugova në sheshin e Katedrales”, deklaroi dom Lush Gjergji.
Dom Lush Gjergji shpjegoi për traditën e rivarrimit të ipeshkve në Katedralen “Nëna Tereze”, duke theksuar se kjo është një traditë e njohur krishtere, e kemi bërë 3 vjet më parë rivarrosjen simbolike të imzot Pjetër Bogdanit, me rastin e 330 vjetorit e vdekjes së tij. Vitin e kaluar kemi bërë rivarrosjen e imzot Nikë Prelës. Pra kjo është rivarrosja e tretë që do ta bëjmë sot.
Ai më tej sqaroi simbolikën e rivarrimit të ipeshkve të krishterë në kishën katedrale, duke i vlerësuar ata si apostuj modernë të krishterimit.
Ndërkaq për ish-presidentin Rugova, dom Lush Gjergji theksoi se ai përmes studimit të krijimtarisë letrare të Bogdanit, rizbuloi krishterimin në vendin tonë./RTKLive