DOKUMENTI origjinal: Kjo është dorëheqja e Albin Kurtit më 2 mars 1999 nga UÇK-ja

- in Lajme

Duket që prej sot, Kosova i ka vetëm 59 mijë e 999 veteranë. Kjo pasi njëri prej tyre – në bazë të një dokumenti origjinal që është dorëzuar në redaksinë e gazetës Nacionale – mund të konsiderohet si veteran i rremë. Emri i tij është Albin Kurti, dhe aktualisht ushtron funksionin e kryeministrit të Kosovës.

Dokumenti në fjalë përmban deklaratën e dorëheqjes nga Zyra e Demaçit në të cilën bënte pjesë z. Kurti së bashku me Azem Vllasin dhe vetë Adem Demaçin.

Kjo dorëheqje mban datën 2 mars 1999, kohë në të cilën ekipi negociator i Kosovës (pjesa e UÇK-së) po zhvillonte bisedime për përmbajtjen e tekstit të Konferencës së Rambujesë.

Nënshkrimi i marrëveshjes e Rambujesë u bë më 18 mars 1999 dhe i liroi rrugën bombardimeve të NATO-s, efektivisht lirisë, dhe më pas (2008) edhe pavarësisë së vendit.

Por, në këtë dokument shprehen qëndrime krejtësisht të kundërta që do të dilnin të pasakta vetëm pas njëzet e dy ditësh, më 24 mars 1999 kur NATO nisi fushatën e bombardimeve mbi caqet e Ushtrisë Jugosllave.

“Kjo marrëveshje nuk do të sjellë kurrfarë paqe apo lirie në Kosovë, përkundrazi ajo do të sjellë vazhdimin e gjakderdhjes”, shkruhej nga zyra e Demaçit ndër tjerash në këtë tekst të dorëheqjes.

Adem Demaçi më vonë do të përkrahte proceset politike në Kosovë, por kjo gjë nuk do të ndodhte edhe me Albin Kurtin që përveç procesit negociator të Vjenës do të kundërshtonte për vite me radhë edhe procesin negociator të Brukselit.

D O M E TH Ë N I A

“Pavarësia dhe liria janë diçka krejt tjetër nga kjo marrëveshje. Kjo marrëveshje nuk është as për së afërmi ajo për të cilën luftuam e po luftojmë,”

Por, a luftoi Albin Kurti?

Domethënia e këtij dokumenti është e madhe. Ai gëzon statusin e veteranit të UÇK-së, por në bazë të ligjeve në fuqi, të gjithë luftëtarët që kishin dezertuar apo ishin dorëhequr për arsye të ndryshme, mund të konsiderohen si veteranë të rremë.

Të tillë z. Kurti e cilësoi edhe kryetari i Partisë Social-demokrate, Dardan Molliqaj.

 

“…Albin Kurti zyrtarisht është veteran i UÇK-së. Do ta lexoj nenin në ligjin për veteranët e luftës, neni 1.32: “veteran i luftës është qytetari i Kosoës i radhitur në UÇK, dhe ka qenë pjesë deri në përfundimin e luftës”, u shpreh z. Molliqaj në aksionin e sotëm te Teatri Kombëtar i Kosovës.

“Kurti mund të jetë pjesëtar i UÇK-së, por nuk është veteran luftëtar, pra ai ka mashtru”, vazhdoi më tej Molliqaj.

I pyetur nëse kishte kapur ndonjëherë armë me dorë në Kuvendin e Kosovës, Kurti ishte shprehur se deputetët duhej të pyesnin Rrustem Mustafën dhe Sylejman Selimin. Këta dy kishin thënë që megjithatë Kurti kishte qenë veteran. Edhe Hashim Thaçi në një deklaratë për BBC para disa vitesh ishte shprehur se i konsideronte të gjithë qytetarët e Kosovës, 1.7 milionë banorë, “si luftëtarë të UÇK-së”.

PSD ka kërkuar nga Prokuroria e Shtetit që ta ndjekë këtë çështje./Nacionale