Biznesmen, profesor, menaxher i PPP, vlerësues tenderësh, menaxher në firma private. Ky është Bekim Mustafa, njeriu që u fut në Komunën e Prishtinës nga Drejtori i Urbanizmit, Arbër Sadiki, për të marrë disa vendime të rëndësishme në Komunën e Prishtinës, shkruan Demokracia.com.
Mustafa e Sadiki, që të dy janë kolegë profesorë në Kolegjin “UBT”. Të dy janë me prejardhje nga Bujanoci dhe janë shokë që disa vite.
Në vitin e kaluar, Mustafa është ftuar në Komunën e Prishtinës për të marrë pjesë në dy procese të rëndësishme. Bëhet fjalë për dy tenderë në një vlerë mbi 20 milionë euro. Ai ka arritur që përmes firmave private të marrë edhe leje të ndërtimit nga kolegu i vet, Drejtori i Urbanizmit, Arbër Sadiki.
Menaxher në PPP
Në korrik të vitit 2020, Zyra e Prokurimit në Komunën e Prishtinës kishte shpallur tender në vlerë prej 13.5 milionë euro për ndërtimin e tri shkollave. Në këtë tender, përpos ndërtimit të shkollave me Partneritet Publiko Privat – PPP, është përfshirë edhe sigurimi i mirëmbajtjes dhe shërbimeve në komunë. Për shkak të shumë zvarritjeve procedurale të tenderit, kontrata është nënshkruar para pak ditëve. Në shtator të vitit 2022, Prokurimi i Komunës së Prishtinës kishte lidhur kontratë me kompanitë në konzorcium “ABC” & “Beni dona” & “Beni Dona Plast” & “Olti Trasing”. Pronar i kompanisë “Beni Dona” është Ragip Mustafa nga Podujeva, një biznesmen shumë i afërt me LDK-në. Më 5 mars 2023, kryetari Përparim Rama e ka emëruar Bekim Mustafën si menaxher për mbikëqyrjen e kontratës me PPP të këtyre tri shkollave.
Mustafa anëtar i komisionit në vlerësimin e tenderit 10 milionësh
Komuna e Prishtinës para pak muajve ka lidhur kontratë trevjeçare mbi 10 milionë euro me një konzorcium të quajtur “Shërbimi i Arkitektit të Kryeqytetit” për konsulta dhe shërbime arkitektonike të kryeqytetit. Bartës i konzorciumit është kompania e arkitektit Astrit Nixha, “ANARCH” SH.P.K, ndërsa anëtar i konzorciumit është edhe kompania Ardi CC L.L.C. Ky tender është shoqëruar me shumë dyshime për rekomandim të kundërligjshëm për kontratë të këtij konzorciumi.
Njëri nga pesë anëtarët e Komisionit Vlerësues të tenderit ka qenë edhe Bekim Mustafa. Vlerësimi i këtij tenderi ka përfunduar më datë 29.05.2023.
Mustafa bashkëpunëtor i drejtorit Sadiki, merr leje ndërtimi nga ai
Dy kolegët, Sadiku e Mustafa kanë edhe projekte së bashku. Ata e kanë bërë bashkë projektin e ndërtimit të Xhamisë në fshatin Tupalla. Më këtë projekt, në vitin e kaluar kanë marrë edhe një çmim ndërkombëtar.
Demokracia.com ka gjetur se në disa raste, drejtori Sadiki ka lëshuar kushtet ndërtimore për kompaninë projektuese, e cila udhëhiqej nga Bekim Mustafa. Madje, ka nënshkruar edhe një leje të ndërtimit.
Deri në vitin e kaluar, Bekim Mustafa ka qenë pronar në kompaninë “BB Architecst” Shpk. Nga viti i kaluar, aksionar i vetëm, sipas ARBK-së, figuron Lavdim Hyseni. Por, person kontraktues, të paktën sipas emalit të vendosur aty është akoma Bekim Mustafa.
Kompania është regjistruar më 06.05.2022 dhe vetëm pas një viti i është ndërruar pronësia. Ndonëse vetëm kompani dyvjeçare, përmes saj pronarët kanë arritur të futen si projektues në marrjen e lejeve të ndërtimit nga Komuna e Prishtinës.
Në dy prej lejeve figuron emri i Mustafës, ku edhe është nënshkruar nga drejtori Arbër Sadiki në vitin 2022, ndërsa në tri të tjera në vitin e kaluar, ku projektues është kompania “BB Architecst”, nuk figuron emri i Mustafës. Por, figuron në kushtet ndërtimore, që janë lëshuar për njërën nga lejet.
Lidhur me këto, Demokracia.com i ka shtruar një varg pyetjesh Drejtorit të Urbanizmit, Arbër Sadiki, i cili është pyetur edhe si është punësuar në Komunën e Prishtinës, Bekim Mustafa, me çfarë procedurash. Drejtori Sadiki nuk është përgjigjur dhe, po ashtu, nuk është përgjigjur në një mori pyetjesh as Bekim Mustafa. /Demokracia.com