Prindon Sadriu nga viti 2019 deri para pak kohësh ka qenë Kryetar i Shoqatës së Ushtarakëve Rezervë të Kosovës. Demokracia.com ka raportuar se qëndrimi i tij në këtë pozitë ishte në kundërshtim me legjislacionin e Republikës së Kosovës. Pos kësaj, Zotëria i Parë nuk e kishte deklaruar fare këtë pozitë në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit.
Pas raportimit që Demokracia.com ka bërë në vitin e kaluar se Prindon Sadriu po qëndronte kundërligjshëm në një pozitë si kryetar, burri i presidentes Vjosa Osmani është tërhequr nga ky post.
Më 27 korrik 2019, Prindon Sadriu bashkë me dy të tjerë, Premtim Rashitin dhe Uran Kurtishin, kanë themeluar Shoqatën e Ushtarakëve Rezervë të Kosovës. Bazuar në regjistrimin e saj në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Administratës, kryetar aty figuronte Prindon Sadriu.
Bashkëshorti i presidentes Osmani nuk e kishte deklaruar këtë pozitë asnjëherë në deklarimin e rregullt vjetor për çka ka qenë i obliguar, pasi që mban post të lartë publik.
Demokracia.com kishte shfletuar deklarimet e pasurisë nga viti 2019 dhe deri më tani të Sadriut, por në asnjërën prej tyre nuk figuronte posti i kryetarit në këtë shoqatë dhe kjo ishte shkelje ligjore.
Redaksia kishte pranuar edhe një interpretim ligjor nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK) lidhur me mëdyshjet nëse Sadriu ndodhet në konflikt të interesit si zyrtar i lartë shtetëror dhe si kryetar i shoqatës në të njëjtën kohë.
Në përgjigjën e saj, APK-ja konfirmonte për Demokracia.com se një situatë e tillë ishte shkelje ligjore.
Siç shihet në përgjigjen e APK-së, e cila thotë se “Zyrtari i lartë mund të jetë anëtar i organit drejtues, me përjashtim të funksionit drejtues”, atëherë bashkëshorti i presidentes Osmani, Prindon Sadriu, ka vite që ka qëndruar kundërligjshëm si Kryetar i Shoqatës së Ushtarakëve Rezervë të Kosovës.
Nuk dihet nëse Sadriu është detyruar nga Kundërkorrupsioni që të largohet nga ajo pozitë, por në faqen e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit nuk është nxjerrë asnjë vendim lidhur me Prindon Sadriun, ashtu siç bënë ky institucion kur të hetojë ndonjë zyrtar për konflikt të interesit.
Pas përfundimit të mandatit diplomatik në Maqedoninë e Veriut, Prindon Sadriu tash është emëruar Drejtor i Departamentit për NATO dhe Politika të Sigurisë në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës. /Demokracia.com/