DOKUMENTE | Ministria e Rozeta Hajdarit nuk i shton 10 mijë euro për rezervat shtetërore, dështon tenderi për biznesmenin e afërt me LDK-në

- in Lajme

Ruajtja e rezervave shtetërore të Kosovës, deri më tani është konsideruar si ”Top Sekret”. Por, autoritetet shtetërore janë hapur pak, duke treguar kështu kompanitë furnizuese më mallra. Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, e cila është autoriteti që bën këtë lloj të furnizmit, ka dështuar në dy iniciativa ligjore më të filluar viti 2024, shkruan Demokracia.com.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, që drejtohet nga Rozeta Hajdari, ka shpallur tre tenderë të ndryshëm për furnizim me rezerva shtetërore. Përmes tyre do të blihet grurë, produkte të ndryshme ushqimore, batanije e thasë për fjetje.

Rezervat shtetërore që Qeveria e Albin Kurtit gjatë tërë vitit 2023 i ka quajtur sekrete, tash i ka zbuluar vetë.

Por, tashmë dy nga tenderët kanë dështuar. Bëhet fjalë për tenderin për furnizim me grurë dhe me gjera ushqimore.

I dyti ka dështuar vetëm pse ministria nuk ka dashur të shpërblejë me kontratë një kompani të afërt më Lidhjen Demokratike të Kosovës. Megjithatë, e ka gjetur një fije ligjore që të bëjë anulimin. Anulimi i të dyve është bërë i ditur sot në faqen e KRPP-së, raporton Demokracia.com.

Për “Furnizim me produkte agro-ushqimore për nevojat e Rezervës Shtetërore” kanë garuar dy kompani: “Beni Dona Plast” Shpk, me ofertë 238, 300.00 euro dhe kompania “Sweet Bakery” Shpk, me ofertë 317, 000, 00 euro.

Vlera e parashikuar e kontratës ka qenë 227, 500, 00 euro.

Kompania “Sweet Bakery” është shpallur e papërgjegjshme në tri pikë, ndërsa kompania “Beni Dona”, e cila tradicionalisht është treguar e afërt me LDK-në, pasi edhe pronari i saj Ragip Mustafa ka qenë në të kaluarën pjesë e strukturave partiake, është shpallur kompani e përgjegjshme, por sipas ministrisë ka tejkaluar buxhetin e ministrisë.

“Sipas LPP-së, neni 62: të gjithë tenderët e përgjegjshëm përmbajnë çmim që në masë substanciale tejkalojnë buxhetin e autoritetit kontraktues për aktivitetin e prokurimit. Në këtë rast, oferta juaj ka tejkaluar vlerën e planifikuar të kësaj procedure në vlerë prej 10, 800. 00 euro”, thuhet në arsyetimin e ministrisë së Rozeta Hajdarit.

Arsyetimi i ministrisë është ligjor, por neni 62 i LPP-së ka lënë mundësinë e hapur që të mund të lidhen kontratat, nëse ministria ka para shtesë, që në mënyrë substanicale nuk e tejkalon vlerën e parashikuar. Vlera prej 10, 800.00 eurove, nuk është vlerë substanciale që tejkalon parashikimin mbi 10 përqind të planifikimit, andaj janë më dhjetëra raste kur autoritete kontraktuese lidhin kontrata me kompanitë nën vlerën prej dhjetë përqind. Ministria në këtë rast ka mundur të shtojë edhe pak mjete në këtë procedurë të prokurimit. P.sh., sot KEK-u ka publikuar njoftimin për dhënie të kontratës, ku e ka rekomanduar për kontratë kompaninë “Patroni” për furnzim me mazut dhe vlera e kontratës është tejkaluar për 2000 euro. Ose para disa muajve, Ministria e Drejtësisë e ka kaluar për mijëra euro planifikimin e kontratës për Mbrojtje në Arbitrazh.

Se ligji e lejoni këtë, e ka pranuar edhe vetë ministria në arsyetimin tjetër të anulimit, tek tenderi për grurë. Pra, sot MINTI ka anuluar tenderin edhe për “Furnizim me grurë për nevojat e rezervave shtetërore”.

Sipas MINTI-t, asnjëri nga dy kontraktorët ofertues nuk i kanë plotësuar kushtet dhe se të dy e kanë tejkaluar vlerën e kontratës, e cila ka qenë 3,750.00 euro.

Kompania “Amidoni” ka ofertuar 4, 914, 00 euro, ndërsa kompania “Euro Ver” ka ofertuar 5, 662, 548, 00 euro.

Në arsyetimin e anulimit të kopanisë “Admidoni”, ministria ka shkruar se: “1. Sipas LPP neni 62. Paragrafi 1.2. citoj: të gjithë tenderët e përgjegjshëm përmbajnë çmime që në masë substanciale e tejkalojnë buxhetin e autoritetit kontraktues për aktivitetin e prokurimit. Në këtë rast oferta juaj ka tejkaluar vlerën e planifikuar të kësaj procedure në vlerën prej 1,164,000.00 euro.

  1. Në ofertën tuaj ju keni ofruar listën e kontratave, mirëpo nuk keni sjell referencat për këto kontrata, mirëpo AK-MINT nuk ka shfrytëzuar Neni 72 te LPP-se për shkak se oferta juaj ka tejkaluar buxhetin e AK-MINT për këtë aktivitet te prokurimit. 3. Deklaratë nën betim nuk është në formën e kërkuar si dhe lista e kontratave janë të bashkangjitura si kopje dhe jo ashtu siç është kërkuar në njoftim për kontratë dhe dosje të tenderit”.

Siç shihet, MINT ka shkruar se “mirëpo AK-MINT nuk ka shfrytëzuar Neni 72 te LPP-se për shkak se oferta juaj ka tejkaluar buxhetin e AK-MINT për këtë aktivitet të prokurimit”. Por, e ka eliminuar për arsye të tjera. Këtu mund të theksohet edhe një herë një pjesë e fjalisë së minsitrisë: “Nuk e kemi shfrytëzuar nenin …”. Pra, MINT ka mundur që të mos e shfrytëzojë këtë nen edhe tek tenderi tjetër, ku kompania e afërt me LDK-në ishte e përgjegjshme, por që ka tejkaluar buxhetin e ministrisë, jo në masë të madhe.

Nga ana tjetër, Prokuroria Speciale ka filluar ta trajtojë rastin e rezervave shtetërore, ku pretendohet për keqpërdorime nga ana e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, përfshirë edhe vetë ministren Rozeta Hajdari dhe një zyrtar të lartë të njërit prej institucioneve kryesore të sigurisë në vend.

Në fakt, bazuar në Ligjin për Rezervat Shtetërore, blerja e mallrave duhet të jetë transparente dhe të bëhet sipas Ligjit të Prokurimit Publik, me oferta të hapura, pastaj vendndodhja të mbahet si sekret.

Por, kryeministri Kosovës, Albin Kurti, në vitin 2022 kishte vendosur që të bëjë një shmangie nga ligji kur ka blerë produkte në vitin e kaluar.

Kabineti ministror më 26.02.2022 ka marrë vendim për shmangie nga procedurat ligjore të Ligjit për Rezervat Shtetërore për blerjen e rezervave shtetërore. Kësisoj i është hapur rruga MINTI-t që të blejë produkte vetëm duke negociuar me palë dhe jo duke vendosur sipas Ligjit për Prokurimin Publik, i cili parasheh që blerja të jetë transparente dhe në një garë të hapur, por që pastaj deponimi dhe vendi i deponimit do të trajtoheshin si sekret.

“Aprovohet kërkesa e Departamentit të Rezervave shtetërore – Ministria e Industrisë Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, që t’i mundësohet përjashtimi nga procedurat e prokurimit për furnizim për Produkte të Rezervave shtetërore të Mallrave, duke e klasifikuar lëndën e kontratës si sekret, në bazë të Ligjit Nr. 03/ L-244 për Rezervat shtetërore të Mallrave dhe Rregullores Nr, 03 /19 për Prokurim për Qëllim të Mbrojtjes dhe Sigurisë”, thuhet decidivisht në vendimin e Qeverisë Kurti të muajit shkurt të vitit të kaluar, ku më pas edhe mallrat u blen me negocim.

Demokracia.com i ka bërë një analizë Ligjit dhe Rregullores në të cilën është thirrur Kurti, kur ka vendosur të bëjë shmangien ligjore.

…“mundësohet përjashtimi nga procedurat e prokurimit për furnizim për Produkte të Rezervave shtetërore të mallrave, duke e klasifikuar lëndën e kontratës si sekret, në bazë të Ligjit Nr. 03/ L-244 PËR Rezervat shtetërore të Mallrave”.

Kësisoji, askund në ligj nuk specifikohet se blerja e mallrave është sekret dhe as që blerja mund të bëhet me negocim.

Ligji Nr. 03/L-244 për Rezervat Shtetërore të mallrave, tek neni 19 flet për procedurat ligjore sesi duhet të bëhet furnizimi me mallra, i cili decidivisht quhet “Procedurat e furnizimit me mallra”. Ky nen thotë se Departamenti i Rezervave Shtetërore të mallrave përmes procedurave të Prokurimit Publik bëjnë furnizimin me mallra të cilat janë paraparë me programin njëvjeçar.

Pastaj, Neni 20 e përcakton më qartë sesi blerja duhet të bëhet me procedura të hapura dhe jo të negociuara.

“Blerja e çdo artikulli të rezervave shtetërore të mallrave, sipas këtij ligji, duhet të parashihet në mënyrë specifike në ligjin përkatës vjetor për ndarjet buxhetore. Përveç kësaj, çdo aktivitet i prokurimit për blerjen e këtyre artikujve duhet të bëhet përmes procedurave të hapura të prokurimit të përcaktuara në Ligjin për Prokurim Publik. Nëse kontrata e prokurimit është me vlerë të madhe, njoftimi i kontratës publikohet në pajtim me Ligjin për Prokurim Publik dhe në gjuhën angleze në një gazetë ose revistë prestigjioze ndërkombëtare”, thuhet shprehimisht në nenin 20 të këtij ligji, i cili siç shihet ka të bëjë me blerjen, shitjen dhe huazimin e rezervave shtetërore të mallrave.

….“Aprovohet kërkesa e Departamentit të Rezervave Shtetërore – Ministria e Industrisë Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, që t’i mundësohet përjashtimi nga procedurat e prokurimit për furnizim për Produkte të Rezervave shtetërore të mallrave, duke e klasifikuar lëndën e kontratës si sekret, në bazë dhe Rregullores Nr. 03 /19 për Prokurim për Qëllim të Mbrojtjes dhe Sigurisë”.

Kryeministri Kurti është thirrur edhe në këtë rregullore kur e ka bërë shmangien, rregullore kjo që nuk ka të bëjë aspak me rezervat shtetërore.

Kjo rregullore nuk e zbërthen Ligjin 03/ L-244 për Rezervat Shtetërore të Mallrave dhe nuk ka të bëjë aspak për prokurimet me të cilat merret ky ligj.

Rregullorja ka të bëjë kryekëput me shmangien e procedurave të prokurimit, veprimin e procedurave sekrete për blerjen e armatimit dhe pajisjeve të tjera të sigurisë.

Decidivisht, ajo quhet “Rregullore (QRK) NR. 03/2019 për prokurimin për qëllime të mbrojtjes dhe të sigurisë”.

Cili është qëllimi i kësaj rregulloreje?

“Kjo Rregullore ka për qëllim përcaktimin e rregullave, kushteve dhe procedurave të prokurimit për qëllime të mbrojtjes dhe të sigurisë, të furnizimeve, shërbimeve dhe punëve, të cilat janë të përjashtuara nga Ligji përkatës për Prokurimin Publik të Republikës së Kosovës”.

Pra, siç shihet rregullorja specifikon se si qëllim ka shërbimet dhe punëve, të cilat janë të përjashtuara nga Ligji përkatës për Prokurimin Publik të Republikës së Kosovës. Ndërsa, siç u pa më lartë, blerja e produkteve për rezervat shtatore nuk është e përjashtuar nga LPP-ja, por është brenda saj.

Neni 4 – flet për “Prokurimet për qëllime të mbrojtjes dhe sigurisë”

“1.Rregullat e prokurimit për qëllime të mbrojtjes dhe të sigurisë të përcaktuara me këtë rregullore do të zbatohen për prokurimet si në vijim:

1.1. Furnizimi i pajisjeve ushtarake, duke përfshirë çdo pjesë dhe/ose komponentë të tij;

1.2. Furnizimi i pajisjeve të ndjeshme, duke përfshirë çdo pjesë dhe/ose komponentë të tij;

1.3. Punët, furnizimet dhe shërbimet e ndërlidhura drejtpërdrejt me pajisjet e referuara në nën paragrafët 1.1 dhe 1.2, të paragrafit 1 të këtij neni për secilin dhe të gjitha elementet e ciklit të jetës së tij;

1.4. Punët dhe shërbimet për qëllime specifike ushtarake; dhe

1.5. Punët dhe shërbimet e ndjeshme”.

Pra, shihet qartë se rregullorja ka të bëjë për institucionet që i kanë të rregulluar me ligj shmangiet nga procedurat e prokurimit, siç janë: FSK-ja apo AKI-ja.

Një veprim i tillë nga ana e ministrisë për të blerë mallra me kompani të caktuar ka mundur të realizohet duke e dërguar në Kuvend për plotësim/ndryshim Ligjin për Rezervat Shtetërore, pasi Parlamenti u jep vulën përfundimtare të të gjitha ligjeve. /Demokracia.com/