DOKUMENTE | Komuna e udhëhequr nga Qemajl Aliu i Vetëvendosjes vendosi kritere manipuluese në tenderin 2.5-milionësh për ndërtimin e unazës së madhe

- in Lajme

Komuna e Shtimes, nën drejtimin e Qemajl Aliut, i vetëquajtur ‘Çlirimtari’, po vazhdon të shkëlqejë në manipulime të prokurimeve. Organi Shqyrtues i Prokurimit i ka zbuluar së fundmi këto ‘çlirime’, duke e dëshmuar edhe një herë se kur bëhet fjalë për tenderë, Komuna e Shtimes e ka përkryer artin e favorizimeve, shkruan Demokracia.com.

Institucionet publike shpesh rekomandojnë për kontratë kompani që nuk përmbushin kriteret e vendosura në dosjet e tenderit, të cilat vetë i kanë përcaktuar. Kjo praktikë jo vetëm që dëmton konkurrencën e ndershme, por ngrit dyshime për manipulime të qëllimshme në prokurimin publik. Për të favorizuar kompani të caktuara, institucionet shpesh vendosin kritere të kundërligjshme dhe diskriminuese në dokumentacionin e tenderit, duke e bërë të pamundur pjesëmarrjen e operatorëve të tjerë ekonomikë. Këto kritere, të cilat shpesh janë të paarsyeshme dhe të papërputhshme me objektin e kontratës, krijojnë një terren të favorshëm për favorizime dhe korrupsion në procesin e tenderimit.

Kështu ka vepruar edhe Komuna e Shtimes, sipas tre ekspertëve të Organit Shqyrtues të Prokurimit, të cilët e kanë gjykuar një tender në vlerë prej 2.5 milionë euro, shkruan Demokracia.com.

Një raport i detajuar i ekspertit shqyrtues lidhur me ankesën e operatorit ekonomik “Gërlica Company” ka evidentuar disa shkelje dhe parregullsi në procesin e tenderimit për ndërtimin e unazës së madhe Petrovë-Reqak-Belincë në Komunën e Shtimes. Ky tender, me vlerë të parashikuar prej 2.5 milionë eurosh, ka ngjallur dyshime të mëdha për kriteret e vendosura nga autoriteti kontraktues, të cilat sipas raportit kufizojnë konkurrencën dhe favorizojnë operatorë të caktuar.

Raportin që e ka parë Demokracia.com,është hartuar nga dy zyrtarë të OSHP-së, Valmirë Deliu si eksperte shqyrtuese dhe Mentor Gallapen si ekspert teknik.

Eksperti shqyrtues ka nxjerrë një sërë gjetjesh që vënë në pah kufizime të panevojshme dhe kritere që devijojnë nga praktikat e zakonshme. Në vijim janë disa nga shkeljet kryesore të identifikuara në raport:

  1. Menaxheri i projektit dhe inxhinieri i hidroteknikës – Dokumentacioni i tenderit kërkon që menaxheri i projektit të jetë inxhinier ndërtimi me certifikatë për menaxhimin e kantierit dhe të ketë përvojë të gjatë. Eksperti konsideron se kjo kërkesë kufizon konkurrencën dhe sugjeron që ky kriter të plotësohet nga më shumë se një person, në vend që të kufizohet në një të vetëm.
  2. Ekskavatori special për kanale– Dokumentacioni kërkonte një ekskavator me kapacitet prej 26 ton, çka sipas ekspertit kufizon ofertuesit e mundshëm. Raporti sugjeron që të lejohet përdorimi i makinerive me kapacitet më të vogël, duke e ulur kërkesën në 15 ton.
  3. Freza hidraulike dhe pajisje të tjera – Disa pajisje teknike, si freza hidraulike dhe kamioni kiper me kran, janë vlerësuar si të paarsyeshme për natyrën e projektit. Eksperti rekomandon heqjen ose zëvendësimin e tyre me pajisje më të përshtatshme.
  4. Rrafshuesi (greder) me lazer digjital – Ky mjet, sipas ekspertit, është shumë i specializuar për tregun vendor dhe mund të kufizojë konkurrencën. Sugjerimi është që të heqet kërkesa për teknologji digjitale dhe të ruhet vetëm kapaciteti minimal prej 20 ton.
  5. Kriteret e kapacitetit të pajisjeve – Një tjetër shkelje e evidentuar është kërkesa për kamionë kiper me kapacitet shumë të ulët, deri në 1 ton. Raporti sugjeron që kjo kërkesë të zëvendësohet me kamionë me kapacitet më të lartë, deri në 3.5 ton, për të zgjeruar konkurrencën.
  6. Dëshmitë për pajisjet teknike – Dokumentacioni nuk ka specifikuar qartë llojet e dëshmive të kërkuara për pajisjet, duke krijuar konfuzion nëse ato duhet të dëshmohen me fatura ose libreza qarkullimi. Eksperti ka rekomanduar qartësimin e këtyre kërkesave.
  7. Rimorkio kompresor – Kërkesa për këtë pajisje u vlerësua si e pasaktë në përshkrimin teknik, pasi kapaciteti i kompresorëve nuk matet në bazë të peshës, por fuqisë. U rekomandua sqarimi teknik.
  8. Rimorkio sinjalizuese me gjenerator – Pajisja e kërkuar u konsiderua si e tepërt dhe e paarsyeshme, duke sugjeruar heqjen e saj nga tenderi ose zëvendësimin me një përshkrim më të qartë.

Raporti përfundon duke rekomanduar që Komuna e Shtimes të bëjë korrigjime në dokumentacionin e tenderit dhe të zgjasë afatin për ofertim, duke siguruar që kriteret të jenë të drejta, transparente dhe në përputhje me Ligjin për Prokurimin Publik. Por, lidhur me këtë raport pritet të marrë vendim përfundimtar Bordi i OSHP-së. Deri atëherë, tenderi është pezulluar. /Demokracia.com/