Presidentja Vjosa Osmani dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, po vazhdojnë me rehatimin e njerëzve të tyre në diplomaci.
Një vend të mirë në diplomaci, dyshja kryesore e politikës së jashtme, po ia japin edhe këshilltarit të Vjosa Osmanit, Vehbi Miftarit.
Miftari është në pritje të vendimit të shefes së tij për t’u bërë Shef i Misionit të Veçantë të Republikës së Kosovës në shtetin e Vatikanit.
Këshilltari i presidentes Osmani është dëgjuar nga anëtarët e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë më 18 dhjetor 2023, pas një kërkese të Gërvallës për seancë dëgjimore të mbyllur, nga ku e ka marrë “dritën e gjelbër” për emërimin si ambasador në Vatikan.
Demokracia.com ka siguruar kërkesën e Gërvallës për seancën e dëgjimit të Vehbi Miftarit dhe rendin e ditës që u ishte dërguar deputetëve që e përbëjnë këtë komision.
“Dëgjimi i kandidatit të propozuar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës për pozitën e ambasadorit”, thuhet në ftesën e kryetares Arbëreshë Kryeziu – Hyseni për anëtarët e komisionit.
Megjithatë, siç ka mësuar Demokracia.com, Vehbi Miftari ka refuzuar të jap përgjigje zyrtare në pyetjen e një deputeteje të Vetëvendosjes nëse është i konvertuar nga feja islame në atë të krishtere. Miftaraj kësaj pyetjeje ka kërkuar t’i përgjigjet privatisht, që përgjigjja e tij të mos përfshihej në transkriptin zyrtar.
I kontaktuar nëpërmjet telefonit, këshilltari i Osmanit nuk ka dashur të flasë rreth kësaj çështjeje.
“Nuk mund të japë asnjë shpjegim për gjëra që janë në seancë të mbyllur në komision. Ju lutem drejojuni komisionit”, ka thënë Miftari dhe e ka mbyllur telefonin kur është pyetur nga gazetari i Demokracia.com.
Zyra e presidentes Vjosa Osmani dhe ministria e Donika Gërvallës nuk ishin bërë fort rehat me vendimet për Vehbi Miftarin as në vitin 2021.
Para se t’i futej procedurës së tashme për t’u emëruar Shef i Misionit të Veçantë të Kosovës në Vatikan, Miftari ishte emëruar si përfaqësues i Republikës së Kosovës për kontakt në Selinë e Shenjtë dhe kundërligjshëm ishte caktuar të shërbente në Misionin Diplomatik të Kosovës në Romë.
Pikërisht në ditën e raportimit të Demokracia.com për këtë vendim të kundërligjshëm, Gërvalla e kishte ndryshuar vendimin e saj për Vehbi Miftarin, duke e hequr pikën 3 dhe një pjesë të pikës së parë, ku ai theksohej se do të shërbente në Misionin Diplomatik të Republikës së Kosovës në Romë.
Nga Presidenca e kishin mohuar këtë, duke thënë se Miftari nuk ishte emëruar diplomat, por vetëm person kontaktues nga Kosova me Selinë e Shenjtë. Presidenca kishte thënë se Vehbi Miftari është caktuar si person, i cili do të mbajë kontakt me Selinë e Shenjtë, por nuk është emëruar të shërbejë në ndonjë mision diplomatik dhe as nuk do të marrë gradë diplomatike.
Pak ditë pas emërimit, Miftari e kishte hapur edhe faqen e tij në Facebook si përfaqësues i Kosovës për kontakte me Selinë e Shenjtë. /Demokracia.com/