Disa dikastere të Administratës Tatimore të Kosovës po funksionojnë më ushtrues të detyrës që shumë kohë. Të njëjtat, ATK-ja tash po mundohet t’i mbulojë me pozita të rregullta, shkruan Demokracia.com.
Burim Troni që disa muaj është duke e ushtruar pozitën e Drejtorit të Tatimpaguesve të Mesëm. Në konkursin që u hap nga ATK-ja, ai garoi që ta heq nga vetja UD-në dhe të bëhet me mandat të plotfuqishëm. Por, ndodhi çudia. Në dokumentet e siguruara nga Demokracia.com, shihet se ai nuk ka arritur ta kalojë as testin me shkrim, ndërkohë që akoma po qëndronte në pozitën e drejtorit që e synonte.
Fillimisht, më 23.11.2023, Administrata Tatimore kishte shpallur konkursin për pozitën “Drejtor i Departamentit të Tatimpaguesve të Mesëm”.
Bashkë më Tronin në këtë pozitë kishin aplikuar edhe disa të tjerë, por kriteret që të futen në intervistën më shkrim e më gojë i plotësuan vetëm 9 kandidatë. Emrat e të kualifikuarve u bën të ditur më 3 janar 2024.
Më nuk kishte asnjë njoftim në ueb-faqen e ATK-së. Por, Demokracia.com ka siguruar dokumentin që ATK-ja nuk e ka publikuar, i cili tregon për anulimin e krejt konkursit.
“Asnjë kandidatë nuk ka arritur të kalojë testin më shkrim, prandaj anulohet”, thuhet mes tjerash në formularin e anulimit të konkursit.
Lidhur me këtë nuk ka dashur të japë asnjë koment ATK-ja, e cila është kontaktuar me shkrim nga Demokracia.com.
ATK-ja e ka anuluar edhe konkursin, ku kërkonte 36 inspektorë të mesëm tatimorë e 15 zyrtarë për mbledhje të detyrueshme.
Ky konkurs është anuluar në fazën e aplikimit. Nuk është dhënë asnjë arsyetim pse është anuluar, por vetëm është shënuar se ai do të rihapet përsëri së shpejti.
Mediat kanë raportuar në të kaluarën se Burim Troni, i cili ka filluar të shihet shumë si i afërt me pushtetin e ri, ishte favorizuar nga ATK-ja kur ishte emëruar në një pozitë tjetër. /Demokracia.com/