Shtatë persona janë arrestuar gjatë aksionit të sotëm të Policisë së Kosovës në koordinim me Prokurorinë Themelore në Ferizaj, teksa gjatë bastisjes në 11 lokacione janë gjetur dhe konfiskuar edhe një sërë provash materiale, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë të ditur se gjatë kontrolleve janë konfiskuar telefona, USB, laptopë, dy armë zjarri, vetura, hard disqe, dokumente që lidhen me rastin ‘Brezovica’ dhe disa vula.
Shtatë të arrestuarit, Gani Berisha, Sami Sinani, Labinot Vitia, Gëzim Sinani, Shukri Shabani, Bajram Gashani dhe Salih Sinani, me urdhër të prokurorit janë dërguar në mbajtje për 48 orë. Ndërsa i dyshuari i tetë, asamblisti i Vetëvendosjes, Berat Lahu, është shpallur në kërkim policor, pasi që i njëjti nuk është hasur ende.
Prokuroria ka njoftuar se të dyshuarit janë ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh nën dyshimet se kanë kryer veprat penale “Marrja e ryshfetit”, “Dhënia e ryshfetit” , “Fajdeja” dhe “Ushtrimi i ndikimit”.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./Sinjali