DOKUMENT | Udhëheqësi i prokurimit qendror fiton tender 4.3 milionësh në QKUK

- in Lajme

Behgjet Rrukiqi është zëvendësues i drejtorit të përgjithshëm në Agjencinë Qendrore të Prokurimit Publik (AQP). Në fillim të vitit 2023, ai është bërë pronar i kompanisë EURO – SERVICES SH.P.K. Vetëm tre muaj pasi ishte bërë pronar në kompani ka garuar bashkë me disa kompani të tjera për një tender të madh në QKUK dhe tash është rekomanduar për kontratë, shkruan Demokracia.com.

Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK), pas shumë zvarritjeve i ka shpallur fituesit e tenderit “Ndërtimi i objektit për klinikat Nefrologji dhe Hemato-Onkologji”.

Nëse gjithçka shkon mirë dhe nuk do të ketë ankesa, kontrata është paraparë të nënshkruhet në fillim të muajit shkurt. Për kontratë është rekomanduar grupi i kompanive “AAG PROJEKT; TOP PROJEKT SH.P.K.; Euroservices shpk; EGO ELSA SH.P.K”.

Vlera e ofertës ka qenë 4,299,293.31 euro.

Demokracia.com ka parë se njëra nga kompanitë, “EURO – SERVICES SH.P.K”, është në pronësi të udhëheqësit të AQP-së, Behxhet Rukiqi. Deri në janar të vitit të kaluar, ajo ka qenë në emrin e dy vëllezërve të tij.

Tenderi ishte hapur qysh më 14 mars 2023, por për shkak të ankesave prej kompanive është zvarritur për disa muaj. Pastaj, siç ka gjetur Demokracia.com, vetë autoriteti kontraktues kishte bërë gabime në dosjen e tenderit që në start dhe më pas e kishte korrigjuar atë katër herë të ndryshme, duke e vonuar procesin.

Behgjet Rrukiqi ka qenë edhe drejtor i përgjithshëm në AQP. Bazuar në të dhënat e ARBK-së, ai posedon 100 për qind të aksioneve te kompania në konzorcium, e cila ka dalë fituese në tenderin e QKUK-së, ndërsa drejtor i kompanisë është Ekrem Sadiku.

Shef i prokurimit të QKUK-së është Nexhat Halili. Ai është futur në prokurimin e këtij institucioni në mars të vitit 2023, deri sa ishte i veshur edhe me petkun partiak. Halili e ka bërë deklarimin e pasurisë për vitin 2023 si asamblist i Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Vitisë.

Pos kompanisë së Rrukiqit, pjesë e konzorciumit kanë qenë edhe tri kompani të tjera. Njëra nga to është “EGO ELSA SH.P.K”. Demokracia.com ditë më parë ka raportuar se “Më 11 korrik 2020, në Klinikën Infektive kishin vdekur gjashtë pacientë brenda pak orëve në rrethana të dyshimta. Fillimisht, i gjithë dyshimi ishte tek furnizimi i sistemit më oksigjen. Kompania që e mirëmbante oksigjenin “Ego Elsa” është rikthyer përsëri në QKUK”.

Po sot është shpallur fituesi edhe për mbikëqyrjen e projektit për Ndërtimin e Objektit për klinikat Nefrologji dhe Hemato-Onkologji. Për kontratë është rekomanduar kompania “North -West SH.P.K”, më ofertë prej 45,762.90 euro. /Demokracia.com/