Në cilësinë e zyrtarëve të lartë publikë, vetëm tetë personave të Komunës së Leposaviqit u është publikuar pasuria nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit. Në mesin e tyre është edhe e kryetarit Lulzim Hetemi, shkruan Demokracia.com.
Ai ishte ndihmuar nga Njësia Speciale e Policisë së Kosovës që të futej në zyrën e tij, mëngjesin e hershëm të 29 majit të vitit të kaluar dhe që nga ajo ditë përreth 7 muaj nuk kishte dalë nga objekti i komunës.
Edhe ai është detyruar që të bëjë deklarimin e pasurisë në APK. Është hera e dytë që Hetemi e bënë këtë. Pasuria që ka deklaruar ai është shumë e vogël, por ka mospërputhje me deklarimin e kaluar.
Hetemi ka deklaruar se posedon një shtëpi 65.00 m2 në një vlerë prej 10 mijë euro dhe ajo është deklaruar si donacion pas luftës. Po ashtu, ka deklaruar edhe një arë 35 ari në një vlerë prej 50 mijë eurove. Edhe kjo, prejardhjen e ka si ‘donacion pas luftës’.
Hetimi e kishte bërë deklarimin edhe në vitin e kaluar, por ara që është shkuar se është përfituar si donacion në vitin 1999, nuk figuron në deklarimin e vitit të kaluar. Po ashtu, Hetemi ka deklaruar edhe të hyrat si kryetar i Leposaviqit. /Demokracia.com/