Nga mëngjesi i ditës së sotme është paralizuar puna në Postën e Kosovës.
Asnjë e-mail nuk mund të dërgohet dhe nuk jepen as shërbime në zyrat postare të Postës së Kosovës.
Kjo ka ndodhur, siç mëson Demokracia.com, pasi që Departamenti e IT është në grevë për shkak të pakënaqësisë me ristrukturimin politik.
Demokracia.com ka siguruar edhe njoftimin që kanë marrë drejtuesit e Postës së Kosovës për këtë grevë.
“Pasi që procesi i ristrukturimit të Postës së Kosovës sa u përket departamenit të IT është bërë pa ndonjë anëtarë të komisionit që ka njohuri dhe përgatitje të bëjë skema organizative sesi duhet të funksionojë IT, si departamenti kyç në funksionimin e kompanisë, kemi bërë kërkesë përmes arkivës me datë 21.06.2024 që të takohen me KE për të biseduar për këtë cështje, kërkesë e cila nuk është hasur në përgjigje as pas dy rikujtimeve të tjera për të njëjtën çështje me anë të e-mailit zyrtar me datë 25.06.2024 dhe 26.06.2024.”, thuhet në kërkesën e siguruar nga Demokracia.com.
Punëtorët e IT në Postën e Kosovës janë shprehur të shqetësuar se ky proces joprofesional do të ndikojë në degradimin e mëtejmë të Postës.
“Tani jemi në fazën që mundësi të vetme për realizimin e kërkesave tona është ta bëjmë përmes grevës, e cila do të fillojë nesër më datë 28.06.2024, në ora 8:00, në zyrat e IT dhe do të vazhdojë deri në realizimin e kërkesave tona të arsyeshme dhe të shpëtohet kompania nga degradimi nëse kalon ky ristrukturim joprofesional sa i përket pjesës së IT. Kërkesa e IT është: Të emërohet një anëtar nga departamenti i IT në komisionin të ristrukturimit që vendos për pjesën e IT.”, thuhet në letrën e punonjësve të IT në Postën e Kosovës. /Demokracia.com/