Vazhdimi i punimeve për “Ndërtimi i QPD dhe QRA Ferizaj”, po tenton të bëhet kundërligjshëm nga Ministria e Punëve të Brendshme që udhëhiqet nga Xhelal Sveçla. MPB-ja ka rekomanduar për kontratë një kompani që nuk i ka plotësuar kushtet. Këtë e ka verifikuar një ekspert i Organit Shqyrtues të Prokurimit, shkruan Demokracia.com.
Një kontratë mbi gjysmë milioni euro po tentohet të manipulohet nga ministria e Xhelal Sveçlës.
Aktiviteti i prokurimit me titull “Ndërtimi i QPD dhe QRA Ferizaj – vazhdim i punimeve”, iniciuar nga Autoriteti Kontraktues (AK) – Ministria e Punëve të Brendshme, ka filluar me njoftimin për kontratë me datë 21.09.2023. Ministria ka vendosur një shumë prej 527 mijë euro për këtë tender.
Hapja e ofertave është bërë më 03.11.2023 dhe njoftimi mbi vendimin B58 të AK është publikuar më 20.12.2023.
Brenda afatit rezulton që kanë konkurruar 4 kompani.
Për kontratë është rekomanduar grupi i kompanive “Standart Beton” shkp; “Arifaj” shpk me çmim prej 468,772,77 euro.
Kompania ankuese, OE “NIKA PrO-Ing SH.P.K”, e pakënaqur me vendimin e ministrisë ka parashtruar kërkesë për rishqyrtim pranë AK-së, ku ky i fundit ia refuzoi kërkesën si të pabazuar dhe si e tillë, OE ankuesi i pakënaqur me refuzimin më 05.01.2023 ka parashtruar ankesë në OSHP. Tutje, OE ankuesi i pakënaqur me rezultatet dhe me arsyen e eliminimit të tij, ka parashtruar në ankesë pretendime kundër Grupit të Operatorëve Ekonomikë (GOE), të rekomanduarit dhe kundër arsyeve të eliminimit të tyre.
OSHP, më pas e ka rekomanduar eksperten e vet, Blerina Huruglica. E njëjta më 16 janar 2024 e ka dorëzuar raportin tek Paneli i OSHP-së. Raporti i saj ka evidentuar shkelje nga ana e ministrisë dhe e njëjta ka rekomanduar që rezultati i tenderit të anulohet dhe lënda të kthehet edhe një herë në rivlerësim.
Ekspertja ka gjetur se stafi i kompanisë ka qenë “llom” prej letrave dhe në kundërshtim të plotë me kërkesën e dosjes së tenderit.
Ekspertja Shqyrtuese lidhur me pretendimin e OE ankues sqaroi se në ofertën e grupit të rekomanduar për kontratë gjendet ing. i arkitekturës z.SH.K ku në ofertë ka të bashkëngjitur një parakontratë në të cilën ceket se pozita e punës do të jetë inxhinier i makinerisë, ndërsa kualifikimi i tij është Arkitekt me diplomë dhe si i tillë, pretendimi i OE ankues gjendet i bazuar.
Kurse, sa i përket pikës 2 të OE ankues lidhur me noterizimin, i njëjti ka të noterizuar diplomën më 23.07.2019, pra më tepër se 6 muaj dhe si i tillë pretendimi gjendet i bazuar.
Po ashtu, ekspertja shqyrtuese lidhur me pretendimin e 4 sqaron se në ofertën e GOE të rekomanduarit gjendet ing.z.B.M me diplomë, e cila është e noterizuar në Shqipëri, ku në noterizim nuk ka asnjë numër i cili e identifikon që noterizimi ka të bëjë me të njëjtën diplomë. Po ashtu, pas kërkesave të AK-së për sqarim, OE i rekomanduar ka bashkëngjitur noterizimet të cilat tani ndryshojnë datat në noterizim, ndërsa numri rendor nuk ndryshon, andaj si e tillë konsideron se AK duhet ta sqarojë të njëjtën, për faktin se paraqesin ndryshim material dokumentet shtesë dhe si i tillë pretendimi i OE ankues gjendet i bazuar.
Tutje, ekspertja shqyrtuese lidhur me pretendimin e 5 sqaron se në ofertën e GOE të rekomanduarit gjendet ing.z.M.P me diplomë, e cila është e noterizuar në Shqipëri, ku në noterizim nuk ka asnjë numër i cili e identifikon që noterizimi ka të bëjë me të njëjtën diplomë, andaj si e tillë konsideron se AK duhet ta sqarojë të njëjtën për faktin se paraqesin ndryshim material dokumentet shtesë dhe pretendimi i OE ankues gjendet i bazuar.
Ekspertja shqyrtuese lidhur me pretendimin e 6 sqaron se në ofertën e GOE të rekomanduarit gjendet paramasa në PDF, e cila siç pretendon edhe OE ankuesi ka ndërhyrje tek pika 2 në paramasë, për faktin se paramasa e standardizuar e AK-së në E-prokurim ka të kalkuluar sasitë dhe përqindjen dhe si e tillë nuk duhet të ndryshohen përmbajtjet e qelizave, andaj pretendimi i OE ankuesgjendet i bazuar.
Tenderi është pezulluar nga MBP-ja, deri sa paneli shqyrtues të marrë vendim final./Demokracia.com/