Albin Kurti po e legjitimon edhe arsimin paralel serb në Kosovë.
Qeveria Kurti duket se ka vendosur t’i njoh edhe diplomat e lëshuara nga shkollat dhe universiteti paralel në Mitrovicën e Veriut, ndonëse ky institucion paralel asnjëherë nuk kishte kaluar nëpër filtrat e Agjencisë për Akreditim të Kosovës.
Edhe pse Qeveria Kurti ka vendosur që t’i njoh diplomat e sistemit paralel dhe ka formuar një komision të posaçëm, pjesëtarët e komunitetit serb po vazhdojnë të kenë ankesa.
Lidhur me këtë, Ministri për Kthim dhe Komunitete, Nenad Rashiq, dje i ka dërguar letër kryeministrit Kurti dhe gjithë kabinetit qeveritar, duke kërkuar prej tyre që sa më shpejt të bëhet nostrifikimi i këtyre diplomave.
Në letrën që e ka siguruar Demokracia.com, Rashiq ka thënë se javëve të fundit institucionet qeveritare dhe ministritë kanë intensifikuar përpjekjet e tyre për plotësimin e vendeve të lira të punës në të gjitha nivelet, për shkak se ka mungesë të dukshme të punëtorëve brenda institucioneve, veçanërisht nëpunësve civilë.
“E vlerësoj shumë vendosshmërinë e qeverisë për hapjen e vendeve të reja të punës, por fatkeqësisht duhet të theksojmë se konkurset janë jashtëzakonisht të pafavorshme për të gjitha komunitetet pakicë, veçanërisht për komunitetin serb. Në senaca të qeverisë në datën 22 shkurt është miratuar vendimi me nr 11/130 dhe datën 27 tetor 2023 është miratuar vendimi me nr 14/169 për mundësinë e verifikimit të diplomave të marra sipas sistemit arsimor serb për arsimin e lartë dhe të mesëm“, ka shkruar Rashiq në letrën drejtuar Kurti, zëvendësve të tij dhe ministrave të kësaj qeverie, përcjell Demokracia.com.
Rashiq ka kërkuar nga Qeveria Kurti që t’ua mundësojë qytetarëve serbë të konkurojnë me nivelin e shkollimit paralel që kanë ende pa përfunduar procesi i nostrifikimit.
“Fatkeqësisht në asnjë nga konkurset e publikuara nuk është paraparë mundësia e aplikimit me diploma që janë në proces verifikimi dhe përveç kësaj diploma për verifikim do të duhej të vërtetohej nga noteri dhe kjo nuk ndodhë, sepse noterët refuzojnë të bëjnë këtë me spjegimin se nuk kanë të drejtë. Teksti i shkruar në çdo konkurs duhet të jetë diçka si: ‘Kandidatët që duhet të verifikojnë diplomën e tyre mund ta bëjnë këtë sipas vendimeve të Qeverisë së Kosovës nr 11/130 dhe vendimit 14/169, një kandidat mund të pranohet për një pozicion të caktuar pune, me vërtetim se është në procesin e verifikimit të diplomës dhe plotësimi i saj i shtohet dosjes së punës të të punësuarit”, thuhet në letrën e ministrit serb që ka siguruar Demokracia.com.
Rashiq, po ashtu, ka theksuar se kjo përbën një pengesë të madhe për komunitetet pakicë në Kosovë në konkurset e shpallura.
“Në bazë të marrëveshjes së miratuar Procesi i Berlinit në Kuvendin e Kosovës, institucionet qeveritare mund të theksojnë se: Kandidatët që nuk kanë pasur mundësi ta bëjnë nostrifikimin e diplomave, mund të marrin pjesë në konkurs dhe mund të punësohen në mënyrë të barabartë, dhe se ata duhet të bëjnë nostrifikimin e diplomave të tyre jo me vonë se gjashtë muaj nga fillimi i punës së komisionit të nostrifikimit”, shkruan tutje Rashiq.
Ministri i Kurtit në letrën e tij shton se është jashtëzakonisht e rëndësishme që të lejojnë këtë lloj fleksibiliteti në thirrjet e tyre për punësim, sepse në të kundërtën do të ketë vakum të madh në punësimin e komuniteteve pakicë dhe ky vakum do të tregohet veçanërisht në veri të Kosovës, ku edhe pas një viti nuk kemi asnjë minimum të funksionimit të administratëts komunale. /Demokracia.com/