DOKUMENT | Kurti e Sveçla nuk ia revokuan shtetësinë Milan Radojçiqit, ligji mundëson të privohen me shtetësi cenuesit e sigurisë kombëtare

- in Lajme

Në Kosovë të gjithë e dinë se kush është Milan Radojçiq, kryekrimineli i veriut, i cili e organizoi edhe sulmin terrorist të 24 shtatorit mbi Policinë e Kosovës, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.

Njeriut më të urryer në Kosovë për të cilin edhe INTERPOL ka lëshuar urdhërarrest ndërkombëtar, ish-nënkryetarit të Listës Serbe, nuk i është revokuar as shtetësia e Kosovës, ndonëse shteti bazuar në Ligjin për Shtetësinë ka të drejtë t’ia privojë atë, pasi që posedon edhe shtetësi të Serbisë, vend ku aktualisht po qëndron.

Pushteti i Albin Kurtit nuk mori asnjë hap në zbatimin e nenit 24 të Ligjit për Shtetësinë.

Në këtë ligj thuhet se pavarësisht të drejtës së personave për shtetësi të Republikës së Kosovës, organi kompetent mund ta privojë shtetasin e Republikës së Kosovës nga shtetësia, nëse shtetasi posedon shtetësi tjetër dhe nëse merret me veprimtari që rrezikojnë sigurinë kombëtare të Republikës së Kosovës.

Me këtë ligj, veprimtaritë që cenojnë rëndë sigurinë kombëtare të Republikës së Kosovës konsiderohen në veçanti veprimtaritë vijuese: 2.1. kur shtetasi qëllimisht i është bashkuar një organizate, e cila ka për qëllim rrënimin ose dëmtimin e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës, ose 2.2. shtetasi ndërmerr veprime të cilat kanë për qëllim rrënimin ose dëmtimin e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës; ose 2.3. shtetasi është anëtar i shërbimit të inteligjencës ose i forcave policore të një shteti
tjetër dhe për këtë nuk ka marrë pëlqimin nga organi kompetent ose nuk është i lejuar me marrëveshje ndërkombëtare.

Vendimi për privimin nga shtetësia e Republikës së Kosovës mund të lëshohet edhe pa pjesëmarrjen e personit në fjalë në procedurë.

“Vendimi për humbjen e shtetësisë me privim bëhet i plotfuqishëm kur vendimi i dorëzohet personit në fjalë. Në rastet kur vendimi nuk mund të dorëzohet për arsye se organi kompetent nuk mund të identifikojë vendndodhjen e personit, vendimi për humbjen e shtetësisë me privim bëhet i plotfuqishëm në ditën e publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës”, thuhet në Ligjin për Shtetësinë.

Demokracia.com e ka pyetur edhe ministrinë e Xhelal Sveçlës përse nuk i është revokuar shtetësia Radojçiqit, por deri më tani nuk ka pranuar përgjigje zyrtare prej këtij institucioni.

Por, kush është Milan Radojçiq, njeriu që sfidoi rendin kushtetues të Kosovës?

Milan Radojçiq është njohur për publikun në Kosovë dhe Serbi, por edhe për autoritetet e rendit dhe ato të drejtësisë.

Kohët e fundit është bërë i njohur në të gjithë rajonin. Ndaj tij dikur ishte lëshuar një urdhërarrest për shkak të dyshimit se ishte i lidhur me vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanoviq, por ai u tërhoq në mars të vitit 2021 kur sapo kishte fituar Vetëvendosje, pa asnjë shpjegim zyrtar.

Radojçiq ka qenë i njohur për autoritetet gjyqësore në Serbi që nga ngritja e aktakuzës kundër tij dhe Zvonko Veselinoviqit në vitin 2011, duke i akuzuar ata për përvetësim të 32 kamionëve Hippo Alpe Adria Leasing.

Ai ishte në kërkim edhe për përfshirje në rastin “Brezovica”, ndërsa dyshohej se kishte kryer veprën penale të kanosjes së dëshmitarëve gjatë procedurës penale. Në rastin e “Brezovicës”, personat akuzohen se kanë shpërdoruar pozitën zyrtare në lidhje me dhënien e lejeve të ndërtimit në një zonë ku nuk lejohet ndërtimi. Ish-kryetari i Komunës së Shtërpcës, Bratislav Nikoliq, ishte paraburgosur për të njëjtin rast. Radojçiq ka arritur t’i shmanget arrestimit me urdhrin e lartpërmendur, duke u arratisur nga vendkalimi administrativ Bërnjak në veri të Kosovës.

Milan Radojçiq, së bashku me Zvonko Veselinoviqin, janë pronarë të së paku katër kompanive në Serbi, disa prej të cilave janë të angazhuara në projektet më të mëdha. Kompania e tyre “ombrellë” është Inkop nga Ćuprija, përmes së cilës ata hynë në botën e biznesit legal. Ata u bënë zyrtarisht bashkëpronarë të saj në vjeshtën e vitit 2018 dhe deri atëherë dyshohej se e kontrollonin. Siç kanë raportuar mediat, më parë Inkopin e ka udhëhequr Dushica Maksimoviq, motra e Zharkos dhe Zvonko Veselinoviqit. Sipas të dhënave të APR, Zharko Veselinoviq tani zotëron 20% të aksioneve në të, ndërsa 80% të mbetur e ndajnë në mënyrë të barabartë Zvonko Veselinoviq dhe Milan Radojçiq.

Inkop ka qenë i përfshirë në projekte të mëdha shtetërore në disa raste, zakonisht si nënkontraktor. Në atë rol ai u gjend në ndërtimin e korridorit 11 dhe në atë korridor ishte angazhuar kompania “Granit pješčar”, bashkëpronarë të së cilës më parë ishin Veselinoviq dhe Radojçiq.

Në tetor 2017, pas fitores brenda komunitetit serb të Listës Serbe në Kosovë, së bashku me drejtorin e Zyrës për Kosovë, Marko Gjuriq dhe kryetarin e Listës Serbe dhe kryetarin e komunës së Mitrovicës së Kosovës, Goran Rakiq, Radojçiq hapi shampanjën dhe festoi suksesin. Radojçiq u bë nënkryetar i Listës Serbe në vitin 2018 dhe pa e pasur shtetësinë e Kosovës, zyrtarisht nuk do të mund të bëhej. Mandati i tij u zgjatë në korrik 2021.

Lista e Zezë e SHBA-së

Në dhjetor të vitit 2021, Ministria e Financave e SHBA-së vendosi në listën e sanksioneve Milan Radojçiqin, Zvonko Veselinoviqin, vëllain e tij Zharkon dhe dhjetë persona të tjerë të lidhur me ta.

Në sqarimin e ministrisë amerikane thuhet se Milan Radojçiq ishte zëvendës i Zvonko Veselinoviqit dhe lider i një grupi të organizuar kriminal kur Veselinoviq doli për një kohë të shkurtër në pension.

Radojçiq dyshohet se ishte gjithashtu përgjegjës për kontrabandën e armëve në grupin e krimit të organizuar të Veselinoviqit.

Grupi kriminal i Veselinoviqit, që e trashëgoi Radojçiqi, dyshohet se është i përfshirë në një skemë të gjerë të ryshfetit, së bashku me zyrtarë të sigurisë kosovare dhe serbe, të cilët lehtësojnë tregtinë e paligjshme të mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Britania e Madhe gjithashtu vendosi kohët e fundit sanksione kundër tyre. Për Milan Radojçiqin, britanikët deklaruan se ai përfitonte nga abuzimi me kontratat shtetërore dhe se ai përdori ndikimin e tij për t’i dhënë kontrata fitimprurëse kompanive të ndërtimit në pronësi të tij. Në shpjegim thuhej se Zvonko Veselinoviq përdorte kontrata publike për të përvetësuar fondet shtetërore.

Mbrojtja e Vuçiqit ndaj Radojçiqit

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq e përmendi Radojçiqin disa herë në fjalimet e tij. Kështu, që në vitin 2018, presidenti serb duke iu referuar informacioneve të MPB-së dhe BIA-s, tha se Radojçiq nuk ka marrë pjesë në vrasjen e Oliver Ivanoviqit.

“Milan Radojçiq, natyrisht, nuk është as akademik, as piktor, as shkrimtar. Kjo është arsyeja pse së bashku me të gjitha gjërat e tjera me të cilat ai nuk mund të jetë gjithmonë krenar dhe për të cilat askush nga ne nuk është i lumtur, ai ishte gjithmonë i pari në vijën mbrojtëse të Mitrovicës Veriore”, tha Vuçiq për RTS në atë kohë. Vuçiq e quajti Radojçiqin “njeriu numër një” për mbrojtjen e Mitrovicës së Veriut në aspektin e mbrojtjes së popullit serb.

Më pas, në vitin 2021, presidenti i Serbisë pohoi se nuk ka folur kurrë me Radojçiqin, përveç takimeve me anëtarë të Listës Serbe. /Demokracia.com/