DOKUMENT | Falsifikatori i tenderëve që SPAK e dërgoi në gjykatë në Shqipëri, shpërblehet me tender nga QKUK-ja në Kosovë

- in Lajme

Në vitin 2022, kryeministri Albin Kurti kishte qëndruar në Symi të Greqisë, ku veç tjerash, deklaroi se kishte takuar 30 biznesmenë që i kishte paraqitur si investitorë potencialë në Kosovë. Prej atëherë nuk ka pasur asnjë lajm se ku është të paktën një prej këtyre 30 investitorëve të huaj. Krejt çka ka ardhur prej investimeve greke deri më tani është se në tenderët e Kosovës është shfaqur një firmë në pronësi të një personi të dyshimtë greko-shqiptar, shkruan Demokracia.com.

Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) ka shpallur fituesit e tenderit “Furnizim me material shpenzues dhe barna për klinikën e Oftalmologjisë”. Tenderi ka qenë i ndarë në 29 lote.

Në mes të kompanive fituese është edhe kompania “Pagasuss shpk”, e cila ka dalë fituese në katër lote që në këtë tender kapin vlerën 233 mijë euro. Lot 2 me ofertë 13,320.00 euro. Lot 7, 205,448.10 euro. Lot 9, 5,160.00 euro. Lot 14, 8,964.00 euro.

Pronar i kompanisë “Pagasuss shpk”, e cila e ka degën edhe në Kosovë, është greko-shqiptari Janis Karathano.

 

Biznesmeni me dy nënshtetësi ka qenë ndër personat e shumëpërfolur për korrupsion në Shqipëri, i cili ka arritur të përfitojë dhjetëra tenderë atje, shkruan Demokracia.com.

Mediat në Shqipëri kanë raportuar më 31 janar të vitit 2022, se SPAK ka regjistruar procedimin penal nr. 18 për veprat penale shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tender dhe ankande publike, shpërdorim detyre dhe korrupsion pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike, në lidhje me koncesionin e një laboratori në të cilin ishte aksionar Karathano.

Sipas mediave atje, hetimet nisën pas një kallëzimi penal të Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cili auditoi gjatë vitit 2021 koncesionin e laboratorëve mjekësorë.

“KLSH arriti në përfundimin se Ministria e Shëndetësisë e kishte dhënë koncesionin në kundërshtim me ligjin “Për Koncesionet dhe Partneritetin Publik Privat”, kallëzoi anëtarët e komisionit për dhënien e koncesionit si dhe i kërkoi zgjidhjen e kontratës.

Sipas KLSH-së, Koorporata Ndërkombëtare e Investimeve (IFC), pjesë e Bankës Botërore, kishte kërkuar skualifikimin e grupit të kompanive fituese, pasi njëra kompani shqiptare ishte në ndjekje penale në Spanjë. Korporata Ndërkombëtare e Investimeve ka shprehur shqetësime serioze për integritetin e kompanisë së regjistruar në Holandë, AB Laboratory Solutions, e skeduar për mashtrim dhe krime financiare. Gjithashtu, KLSH vlerësoi se AB Laboratory Solutions B.V u përdor si koracë për të mbuluar përqindjen reale të ndarjes së aksioneve në konzorcium. Ndarja ishte fiktive, pasi dy kompani në dukje të ndryshme, ishin faktikisht një, me pronar Janis Karathano.

“Nëse do të ishte paraqitur vetë Pegasus si aksioner në konzorciumin e ngritur, atëherë pjesëmarrja e tij rezulton 75% e aksioneve dhe jo ndarja që është paraqitur në marrëveshjen e konzorciumit…, ku natyrisht ndryshojnë edhe kushtet e vlerësimit, të cilat në shumicën e detyrimeve i takojnë atij për t’u përmbushur si nga ana ligjore dhe financiare”, thuhet në raportin e KLSH, sipas mediave në Shqipëri.

Ndërsa, Laboratory Networks ka pretenduar se “Konzorciumi fitues, qartazi dhe në mënyrë evidente ka përmbushur në mënyrë strikte dhe ka tejkaluar të gjitha kërkesat teknike, financiare dhe ligjore dhe kriteret e garës në tërësi, dhe mbi të gjitha ajo është përzgjedhur pasi ka ofruar çmimin më të ulët në këtë garë…”.

Ndërsa, komisioni i koncesionit pranë Ministrisë së Shëndetësisë pretendoi se informacioni për hetimin ndaj kompanisë ‘holandeze’ të Karathanos në Spanjë, nuk është i vërtetë. Të kallëzuar në SPAK janë Raimond Cimbi, ish-drejtor i Drejtorisë së Prokurimeve në Ministrinë e Shëndetësisë, i cili ka qenë kryetar i komisionit të dhënies së koncesionit.

Janë kallëzuar edhe 6 anëtarë të komisionit të dhënies së koncesionit, konkretisht Silva Novi, përgjegjëse e sektorit të Standardeve dhe Protokolleve Spitalore në ministri, Leonora Horanlliu, përgjegjëse e sektorit të Programimit dhe Monitorimit të Buxhetit në FSDKSH, Ariola Krymi, mjeke koordinatore në Laboratorin Biokimik në QSUT, Anjeza Alliu, përgjegjëse e sektorit të Prokurimeve, Gazmir Vehbiu, ekonomist në Agjencinë e Trajtimit të Koncesioneve dhe Armila Ali, ekonomiste në Agjencinë e Trajtimit të Koncesioneve.

Është kallëzuar në SPAK për shkelje të barazisë në tenderë gjithashtu edhe drejtorja e Drejtorisë së Politikave dhe Strategjive të Zhvillimit në Ministrinë e Shëndetësisë, Flutura Beqo, e cila ishte kryetare e komisionit të vlerësimit të ofertave, si dhe dy anëtarët e KVO, Oltion Dhono, drejtor i Qendrës Kombëtare Teknike Bio Mjekësore dhe Olsi Akshia, përgjegjës i Sektorit të Ankesave Administrative dhe Gjyqësore. /Demokracia.com/