Djilas: Marrëveshja me Kosovën ia shkurton Vuçiç-it pushtetin

- in Lajme

Kryetari i Partisë serbe për Liri dhe Drejtësi, Dragan Djilas, në një prononcim për FoNet, tha se arritja e marrëveshjes me Kosovën dhe afrimi i Serbisë me Bashkimin Evropian nuk ia zgjasin pushtetin Aleksandër Vuçiç-it, por përkundrazi ia shkurtojnë atë.

Ai tha se Kosova dhe anëtarësimi i Serbisë në Bashkimin Evropian nuk janë çështje të Vuçiç-it, por të shtetit serb, sepse as Vuçiç-i nuk është Serbi, e as serbët si Kryetari i Kuvendit, Vladimir Orliç, që thotë se është e pamundur të imagjinohet një Serbi që nuk udhëhiqet nga Vuçiç-i.

“Ne nuk e imagjinojmë një Serbi të tillë. Prandaj do të bëjmë gjithçka që Serbia të marrë një propozim që do ta ruajë popullin tonë në Kosovë, i cili do të na ruajë krenarinë dhe do të na mundësojë të ecim drejt BE-së”, ka thënë Djilas.

Djilas vlerësoi se suksesi më i madh i arritur në 24 vitet e fundit është që serbët ende jetojnë në Kosovë përkundër ekspozimit ndaj vendimeve të autoriteteve në Beograd, të cilët siç tha ai, i kanë bindur për vite se fitonin, por edhe ndaj ngacmimeve të strukturave kriminale që bredhin në veri.

“Prandaj numri i atyre që mbeten në Kosovë dita ditës po zvogëlohet dhe largohen, sepse duan t’u shpëtojnë jetën fëmijëve të tyre dhe t’u ofrojnë njëfarë të ardhme, sulmohen nga mediat që ndihmuan në krijimin e një atmosferë që çoi në vrasjen e Oliver Ivanoviç-it”, tha ai.

/Albanianpost