Ditë speciale: Sot publikohet Raporti i Progresit për Kosovën në BE

- in Lajme

Në kryeqytetin e Bashkimit Evropian, sot pritet të publikohet Raporti i Progresit për Kosovën nga Komisioni Evropian, raporton Gazeta Sinjali.

Në disa fusha raporti do jetë i ndryshëm për Kosovën, por tek liberalizimi i vizave Komisioni Evropian i mbetet besnik qëndrimit të vitit 2018.

KE-ja thotë se regjimi i vizave për kosovarët duhet hequr, dhe se kushtet janë përmbushur.

Mbi këtë raport dhe të ashtuquajturin “Non-Paper” grupi punues për vizat, po në Bruksel, do zhvillojë punimet të mërkurën e të enjten për liberalizim.

Derisa të mërkurën e të enjten, punon grupi për vizat, të premten më 14 tetor mblidhen ministrat e punëve të brendshme të unionit, më saktësisht Këshilli i Shengenit.

Lëvizja e lirë për shtetasit e Kosovës nuk figuron si temë diskutimi.

Njoftimi zyrtar thotë se aty flitet për situatën e përgjithshme me fokus të veçantë në menaxhimin e kufijve të jashtëm dhe se do vendosen veprime në këtë fushë.

Çdo vit Komisioni Evropian publikon Raportin e Progresit për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqinë dhe tregon për reformat që duhen bërë vendet që aspirojnë integrimin në Bashkimin Evropian.

Vitin e kaluar në Raportin e Progresit për Kosovën ishte kërkuar normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë. Në raport bëhej thirrje që Kosova të angazhohej në mënyrë më konstruktive në dialog dhe po ashtu të bëjë përpjekje për implementimin e gjitha marrëveshjeve të kaluara që janë nënshkruar.

Raporti i vitit 2021 kishte vlerësuar se Kosova kishte plotësuar të gjitha kriteret për liberalizim të vizave që në korrik të vitit 2018, kishte kërkuar nga Qeveria e Kosovës luftim kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe zhvillim ekonomik.

Çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën (i vetmi vend nga të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor që nuk ka liberalizim vizash) do të jetë në rend të ditës, në takimin e grupit punues të Këshillit Evropian që mbahet më 13 tetor 2022.

Paketa e zgjerimit, që përfshin edhe Raportin e Progresit, mbulon gjashtë vende të Ballkanit Perëndimor: Shqipërinë, Bosnje dhe Hercegovinën, Malin i Zi, Kosovën, Maqedoninë e Veriut, Serbinë si dhe Turqinë.

Serbia dhe Mali i Zi tashmë kanë nisur procesin e negociatave të pranimit. Me Malin e Zi, Bashkimi Evropian ka hapur të gjithë kapitujt në këtë proces.

Turqia ka filluar negociatat gjithashtu për anëtarësim në BE.

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut në korrik të këtij viti hapën zyrtarisht negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Kosova dhe Bosnje e Hercegovina ende nuk kanë statusin e kandidatëve për anëtarësim në BE.

/GazetaSinjali/