DITA E TRETË NGA HELMIMI I QYTETARËVE NË DEÇAN, KOMUNA DO T’I FURNIZOJË ATA ME UJË TË PIJSHËM

- in Lajme

Komuna e Deçanit po planifikon që të furnizojë qytetarët e saj me ujë të pijes, pasi dyshohet se helmimi i cili bëri që rreth 900 qytetarë të kërkojnë ndihmë mjekësore, ka ardhur nga uji që ata kanë konsumuar.

Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj tha për Telegrafin se janë duke u përgatitur që të furnizojnë më ujë qytetarët.

“E kemi tash një takim, ku Komuna do të marrë përgjegjësinë që të furnizojë me ujë qytetarët përmes zgjidhjeve të ndryshme, ndoshta edhe me blerje të ujit”, tha Ramosaj Për Telegrafin.

I pari i Deçanit deklaroi se si edhe në gjithë Kosovën edhe atje kanë pasur mungesë të barnave nga lista esenciale e barnave.

Kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj me prokurorin Dorian Juniku, Drejtorin e Policisë të rajonit të Pejës, Kol.Shaban Shala dhe të tjerë gjatë vizitës në QKMF-në ,,Adem Ukëhaxhaj” / Foto: Facebook

Ai njoftoi se një pjesë të barnave të cilat janë në mungesë në QKMF kanë arritur t’i sigurojnë si donacion nga njerëz të vullnetit të mirë.

“Lista esenciale e barnave është mungesë në krejt Kosovën që është përgjegjësi dhe obligim i Ministrisë. Ta shohim sot gjatë ditës së si do të rrjedhin gjërat. Është problemi që terapia që po përdoret për këtë infeksion është në mungesë në QKMF, Komuna e ka siguru një pjesë, por ka pasur edhe njerëz të vullnetit të mirë që kanë bërë donacione”, tha Ramosaj.

Uji në Deçan / Foto: Adem Lushaj

As pas ditës së tretë, prej kur në këtë Qendër ka pasur fluks të madh qytetarësh që kanë nevojë për trajtim, kjo Qendër nuk është furnizuar me asnjë material shtesë e as me barna shtesë nga lista esenciale të cilat edhe ashtu vazhdimisht mungojnë.

Drejtori i QKMF-së “Adem Ukëhaxhaj” në Deçan, Selmon Berisha, ka thënë për Telegrafin se nuk ka pasur as interesim për të ditur gjendjen e pacientëve.

“Lista esenciale e barnave më mirë mos me qenë fare. Ne çdo herë kemi bërë porosi konform kërkesave tona, e deri më tani çdoherë jemi furnizuar me më pak se 40% të kërkesave. Tani në listën esenciale të barnave pothuajse nuk ka asnjë gjë që duhen pacientëve”, u shpreh ai.