Situata në komunat veriore të banuara me shumicë serbe, tash e disa javë është e tensionuar. Grupe të serbëve lokalë atje kanë ngritur barrikada, teksa kanë kryer sulme me shok bomba edhe në zyrat e Komisionit Komunal Zgjedhor dhe njësiteve të EULEX-it. Po ashtu ka pasur raste të raportuara edhe për sulme ndaj qytetarëve shqiptarë, raporton Gazeta Sinjali.
Kështu e kanë pësuar edhe dy të mitur dje pasdite, të cilët dyshohet se janë sulmuar nga disa persona të nacionalitetit serb.
Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se e gjithë ngjarja ka ndodhur teksa të miturit po shkonin në shtëpinë e cila ndodhet në ‘Kodrën e Minatorëve’, ku kanë hasur në një grup të qytetarëve serbë, të cilët u janë drejtuar fëmijëve në gjuhën serbe.
Më pas ata kanë kaluar në sulm fizik ndaj të miturve, duke i goditur ata me shuplaka e shqelma dhe si pasojë dy viktimat kanë marrë lëndime trupore.
Me të ikur nga vendi i ngjarjes, ata janë drejtuar për ndihmë te njësitet e EULEX-it, mirëpo të njëjtit i kanë orientuar që të kërkojnë ndihmë nga Policia e Kosovës.
Ndërkohë si pasojë e lëndimeve të marra, kanë kërkuar ndihmë mjekësore në Emergjencën e Spitalit Rajonal në Mitrovicë.
Njësitë policore kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit dhe çojnë në identifikimin e personave të dyshuar.
Me urdhër të prokurorit, rasti është ciëlsuar ‘Lëndim i lehtë trupor’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapen të dyshuarit.