Diplomati që takoi Kurti para darkës me Vuçiqin akuzohet si njeriu kryesor i Putinit në Gjermani

- in Lajme

Kush është njeriu të cilin e takoi kryeministri i Kosovës para darkës me Vuçiqin në Gjermani? 

Darka joformale që kryeministri Kurti e hëngri në Berlin me Përfaqësuesin Special të BE-së për dialogun Mirosllav Lajçakun, dhe më e rëndësishmja, presidentin serb Aleksandër Vuçiqin, bëri bujë të madhe në Kosovë. Fotografia e kësaj darke u bë virale në platformat e medieve sociale. Megjithatë, një takim hyrës për në darkë e ku ishte edhe një fotografi tjetër, del se u la paksa në hije të medieve.

Në këtë fotografi, përveç treshes së lartpërmendur paraqitej edhe një diplomat gjerman me emrin Jens Plötner.

S F O N D I

Paraprakisht, kryeministri Albin Kurti ishte takuar me kancelarin gjerman Olaf Scholz, me të cilin nuk pati një diskutim aq të frytshëm. Kurti përsëriti qëndrimet e tij, e Scholz përgjithësisht përsëriti qëndrimet e para-ardhëses së tij, Angela Merkel.

Por, t’i kthehemi para-darkës.

Në atë fotografi ishte edhe Jens Plötner, këshilltar i kancelarit gjerman për Politikë të Jashtme.

Ky i fundit po akuzohet nga gazeta e madhe gjermane Welt se është njeriu kryesor i presidentit rus Vladimir Putin në Gjermani. Artikulli që bën një akuzë të tillë titullohet “Keqllogaritja më e madhe dhe më e rrezikshme në histori të Republikës Federale”, dhe i cili u përgatit nga gazetari Klaus Geiger.

Jan Schellenbach, një profesor i ekonomisë nga Gjermania, komentoi takimin me tone të ashpra duke u shprehur:

Frank-Walter Steinmeier (presidenti i Gjermanisë) nuk mund të qëndrojë në pushtet sepse ai ishte idioti i vyeshëm i Putinit për më shumë se njëzet vjet. Anëtari më i pushtetshëm i lidhjes Putin-Steinmeier-Schroder është këshilltari i Olaf Scholzit, Jens Plötner”, shkroi ai në Twitter.

Matanë Berlinit

Nuk dihen me saktësi lidhjet e kryeministrit Kurti me këshilltarin Plötner. Përveç takimit që ka pasur në Berlin, Kurti është takuar me Plötnerin të paktën edhe një herë tjetër.

Vetë kryeministri Kurti njoftonte më 24 tetor të vitit 2019 se ishte takuar me z. Jens Plötner.

“Në të gjitha këto takime diskutuam për marrëdhëniet bilaterale Kosovë-Gjermani, si dhe për sfidat e qeverisë së ardhshme në fushat e drejtësisë, ekonomisë, integrimeve evropiane dhe të dialogut me Serbinë. Kosova te Gjermania e ka partnerin e mirë për shtetndërtim demokratik, sundim të ligjit dhe zhvillim të gjithëmbarshëm”, shkruante z. Kurti për takimin me z. Plötner dhe me disa zyrtarë të tjerë.

Në kohën kur ky artikull është publikuar në Gjermani, tashmë qeveria Scholz dhe këshilltari Plötner ishin nën thumb të kritikave për lidhjet e tyre me Rusinë./Nacionale