Dikush pro e dikush kundër, opozita me mendime të ndara rreth pranimit të propozimit evropian

- in Lajme

Partitë opozitare në Kosovë kanë shprehur mendime të ndryshme për pranimin e propozimit evropian nga kryeministri Albin Kurti. Dy partitë më të mëdha opozitare në vend, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë kritikuar pranimin e propozimit evropian nga kryeministri Albin Kurti, shkruan Gazeta Sinjali.

Sipas këtyre dy partive, me këtë propozim për normalizimin e raporteve me Serbinë, Kosova ka humbur njohjen e ndërsjellë dhe ka pranuar që ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.

“Aty [në propozimin evropian] nuk flitet për njohjen nga pesë vendet mos-njohëse të BE, nuk flitet për hapjen e rrugës drejt anëtarësimit në NATO, as për marrjen e statusit kandidat për anëtarësim në BE”, shkroi në Facebook, kreu i PDK-së, Memli Krasniqi.

memli 3

Nga ana tjetër edhe LDK-ja u shpreh kritike ndaj Kurtit, duke argumentuar se propozimi nuk përfshin njohjen.

“Dokumenti i pranuar po ashtu parasheh implementimin e të gjitha marrëveshjeve paraprake – përfshirë dhe Asociacionin – si dhe statusin e veçantë për Kishën Ortodokse Serbe. Kryeministrit i ka mbetur vetëm ta dakordojë datën e themelimit te Asociacionit, meqë ai, me pranimin e zbatimit të marrëveshjeve paraprake, ka pranuar që ta themelojë atë”, u tha në reagimin e LDK-së.

LDK 1

Kurse, mendim ndryshe shprehu kreu i subjektit të tretë më të madh opozitar, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Ramush Haradinaj e cilësoi si “arritje të madhe” pranimin e propozimit evropian.

“Marrëveshja është pranim faktik i pavarësisë së Kosovës, e cila i rikthehet normalitetit politik e të sigurisë, perspektivës integruese euro-atlantike e njohjeve te reja”, shkroi ai në Facebook.

RAMUSH

Kryeminsitri Kurti e cilësoi takimin në Bruksel si konstruktiv, duke pretenduar se ai ishte i gatshëm të nënshkruante marrëveshje, por Serbia nuk shprehu gatishmëri.

“Ishte konfirmim që propozimi evropian është i pranueshëm dhe i pandryshueshëm. Ecja përpara do të jetë për planin e zbatimit. Jemi në një rrugë të mbarë dhe njëkahëshe të normalizimit të marrëdhënieve. Është marrëveshje e simetrisë, e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit në të ardhmen”, tha Kurti.

Ndërkaq, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se në rundin e bisedimeve, që u ndërmjetësua nga BE-ja, nuk u fol për miratimin e propozimit, por për planin e zbatimit. Ai tha se deri më 23-24 mars, kur mbahet takimi i Këshillit Evropian, Kosova dhe Serbia, përmes takimeve me të dërguarin e bllokut për dialogun, Mirosllav Lajçak, duhet të përpilojnë një raport lidhur me atë se ku kanë arritur me çështjen e marrëveshjes për zbatimin e propozimit. Ai tha se prej kësaj do të varet edhe integrimi evropian i Serbisë dhe Kosovës.

Vuçiq insistoi se Serbia si prioritet ka zbatimin e marrëveshjeve për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, gjë që kundërshtohet nga Kurti, i cili është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.

/GazetaSinjali/