Mbajtja e ndonjë raundi të ri të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë aktualisht po shihet si e pamundur për shkak të luftës në Ukrainë, por edhe të zgjedhjeve presidenciale që do të mbahen në Serbi në fillim të muajit prill
Kështu vlerëson njohësi i rrethanave politike në vend, Dritëro Arifi. Ai tha për Radio Kosovën se pas agresionit rus, bota demokratike duhet të përshpejtojë për gjetjen e një zgjidhje të shpejtë dhe të prerë që është njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia.
“Bota demokratike e ka kuptuar tashmë se konfliktet e ngrira mund të zhvillohen në konflikte të zjarrta. Kjo i bie që pas konfliktit në Ukrainë, dialogu skajshmërisht do të harrohet në kuptimin e seriozitetit, plus janë zgjedhjet në Serbi edhe Serbia është pozicionuar krah Rusisë. Kështu kjo do ta komplikojë edhe më shumë situatën, prandaj ndërkombëtarët duhet të reagojnë më shpejtë”, thotë Arifi.
Sa i përket pozicionimit të Serbisë krah Rusisë, për analistin Arifi nuk është risi, por që kjo e favorizon Kosovën pasi kjo e fundit është rreshtuar krah Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Por, ai thotë se aktualisht BE nuk ka vizion të qartë për Ballkanin Perëndimor.
“ Bashkimi Evropian nuk e ka një vizion për Ballkanin Perëndimor, e kanë vetëm në mënyrë teorike por jo edhe praktike, që i bie pozicioni i Kosovës është më i favorshëm, por që nuk do të thotë se rregullohet shpejt.”
Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se invadimi Rus në Ukrainë, por edhe rreshtimi i Serbisë në anën e Rusisë, mundësia për një takim të nivelit të lartë aktualisht është vështirësuar.
“Pas invadimit rus në Ukrainë, me ç’rast ne iu bashkuam sanksioneve të SHBA-ve dhe BE-së, ndërkohë Serbia u vendos në anën e Federatës ruse, takimet janë në një situatë tejet më të vështirë se vitin e kaluar”, ka deklaruar më herët Kurti.
Ndërkohë, Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, në një intervistë për “Deutsche Welle” është shprehur i zhgënjyer me ecurinë e dialogut ndërmjet dy vendeve. Borrell ka theksuar se duhet shtyrë të dyja palët, Prishtinën dhe Beogradin, me qëllim që të kuptojnë se ka vetëm një zgjidhje për problemin dhe se ajo vjen përmes dialogut, por gjithnjë duke e pasur parasysh se nuk do të jetë e lehtë.