Dështon seanca për gazin lotsjellës në Kuvend, në Gjykatë e pranishme vetëm Haxhiu

- in Lajme

Në mungesë të të akuzuarve Pal Lekaj, Donika Kadaj Bujupi dhe Besa Baftiu, të premten ka dështuar të mbahet seanca për gazin lotsjellës.

Në seancë është paraqitur vetëm e akuzuara Albulena Haxhiu, e cila deklaroi se dëshiron mbrojtës sipas detyrës zyrtare.

Ndërsa në mungesë të të akuzuarve Lekaj, Kadaj-Bujupi dhe Baftiu gjyqtari i rastit, Bujar Ahmeti ndërpreu seancën e sotme dhe të njëjtën e caktoi për një datë tjetër.

Gjyqtari Ahmeti njoftoi se për të akuzuarin Lekaj dhe Baftiu, gjykata nuk ka dëshmi se të njëjtit e kanë pranuar ftesën e që sipas njoftimit të njëjtit janë shpërngulur nga adresa.

Ndërsa, për të akuzuarën Kadaj – Bujupi, gjykata ka dërguar ftesë të rregullt por e njëjta nuk i është përgjigjur kësaj ftese.

Po ashtu, gjyqtari Ahemti njoftoi palët se nga mbrojtësi i të akuzuarit Lekaj, avokati Musa Damati, përmes një parashtrese të dorëzuar kësaj gjykata i ka kërkuar nga gjykata shterjen e kësaj seance.

Ndryshe seanca e datës 21 nëntor 2025 kishte dështuar në mungesë të akuzuarve, Pal Lekaj, Besa Baftiu dhe Donika Kadaj-Bujupi.

Në këtë rast, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, deputeti Pal Lekaj dhe ish-deputetet Donika Kadaj-Bujupi dhe Besa Baftiu, akuzohen për posedim të gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës më 2016.

Gjykata Themelore në Prishtinë më 18 maj 2021, në mungesë të provave, i kishte liruar nga akuzat për armëmbajtje pa leje, ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, deputetin Pal Lekaj dhe ish-deputetet Donika Kadaj-Bujupi dhe Besa Baftiu, për akuzën e posedimit të gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.

Mirëpo, kundër këtij aktvendimi ankesë kishte parashtruar Prokuroria Themelore në Prishtinë, ku në seancën e mbajtur më 6 tetor 2022, kjo prokurori kishte kërkuar kthimin e rastit në rigjykim.

Më pas, Gjykata e Apelit më 14 tetor 2022, ka marrë vendim me të cilin ka aprovuar ankesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe ka prishur aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, duke e kthyer çështjen në rigjykim.

Sipas aktakuzës së ngritur më 8 prill 2016, Pal Lekaj, Besa Baftiu, Donika Kadaj-Bujupi dhe Albulena Haxhiu akuzohen se pa autorizim kishin poseduar bombola të gazit lotsjellës.

Në aktakuzë thuhet se më 19 shkurt 2016, rreth orës 12:20, në hollin e Kuvendit e Kosovës, pas pauzës së punimeve të Kuvendit, derisa të akuzuarit ishin duke u kthyer në sallë, gjatë kontrollit nga ana e punëtorëve të sigurimit të Kuvendit, tek të akuzuarit ishin gjetur dhe sekuestruar nga një bombolë e gazit lotsjellës, të cilën e mbanin pa autorizim.

Për këto veprime, katër të akuzuarit thuhet se secili veç e veç kanë kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374, paragrafi 1, të Kodit Penal./Betimi për Drejtësi/Demokracia