Dështimi i takimit Kurti-Vuçiq në Bruksel, Qeveria e Kosovës thotë se Serbia ka për qëllim sabotimin e procesit të dialogut

- in Lajme

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ishte planifikuar që të takoheshin sot në Bruksel, në kuadër të dialogut, mirëpo ky takim nuk ndodhi.

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dje gjatë raportimit në Komisionin për Integrimeve Evropiane bëri të ditur se ka dështuar aranzhimi i këtij takimi, duke thënë se presidenti Vuçiq nuk ka treguar gatishmëri për takim.

Lidhur me dështimin e këtij takimi, nga zyra e kryeministri Albin Kurti kanë thënë gjithashtu se “fajtori” i dështimit të këtij takimi ishte presidenti serb.

Kështu ka thënë për Telegrafin, zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu përmes një përgjigje me shkrim.

“Kryeministri Kurti ka shprehur gatishmërinë për një takim të niveli të lartë politik sikurse ka shprehur gatishmërinë që ai të mbahet gjatë këtij muaji. Madje zëvendëskryeministri Bislimi gjatë javës së kaluar ka qëndruar në Bruksel që të përgatitet terreni për një takim në nivel të krerëve të shteti. Ky takim ka dështuar për shkak të mosgatishmërisë nga ana e Serbisë për një takim të tillë, e shprehur kjo në njërën anë përmes presioneve për ndryshimin e agjendës së takimit trilateral në nivel kryenegociatorësh dhe në anën tjetër arsyetimit se takimi nuk mund të mbahet shkaku i vizitës së President të Egjiptit në Serbi”, ka thënë Kryeziu.

Ai ka shtuar se këto veprime të Serbisë kanë qëllim sabotimin e procesit të dialogut.

Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu

Telegrafi ka dërguar pyetje edhe në Bashkimin Evropian për të parë se kur mund të ketë ndonjë takim tjetër të radhës, dhe si e shohin dështimin e takimit të paralajmëruar për sot.

Bartësit e dialogut, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk janë takuar në Bruksel që nga korriku i vitit 2021.

Deri më tani, ata kanë zhvilluar vetëm dy takime dhe që të dyja nuk kanë sjellë ndonjë rezultat konkret.