Gjatë dëshmisë së tij në Hagë, dëshmitari Halim Berisha tha se nuk i njeh të akuzuarit, nuk ka asgjë ndaj tyre dhe nuk e dinë arsyen përse ZPS-ja e ka ftuar për të dëshmuar në këtë gjykim.
“Nuk i njihja, absolut nuk i njoh asnjë dhe nuk e di arsyen pse me kanë ftu”, tha dëshmitari në seancë, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Përpara kësaj, duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtjes së Thaçit, dëshmitari pohoi se e kishte thirrur dy herë në telefon Prokurorinë për të pyetur pse duhej të jepte dëshmi në këtë proces gjyqësor, pasi nuk e kishte kuptuar arsyen e një gjëje të tillë.
Ai gjithashtu pohoi se i kishte thënë ZPS-së se ai nuk kishte dëshmi kundër të akuzuarve për shkak se nuk kishte asgjë kundër tyre dhe nuk i njihte.
“Shumë e saktë. Nuk kam kurrgjë ndaj tyre, nuk i njoh. Nuk e di”, tha dëshmitari i Prokurorisë.
Me kaq përfunduan pyetjet e mbrojtjes së Thaçit, që përfaqësohej nga avokatja Nina Tavakoli për të vazhduar më pas me pyetjet e mbrojtjes së Veselit dhe avokatja Ann Rowan./Demokracia