Ambasada e Gjermanisë në Kosovë ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet të ndërmarrë hapa konkretë për themelimin e Asociacionit, në mënyrë që ta arrijë shumicën e nevojshme të votave për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
Nga kjo ambasadë thonë se të gjitha vendet e QUINT-it e kanë këtë kërkesë.
“Kuinti dhe të tjerët kanë theksuar vazhdimisht se Kosova pritet të ndërmarrë hapa të prekshëm për themelimin e ASMM-së në mënyrë që të arrijë shumicën e nevojshme prej dy të tretave në Komitetin e Ministrave që aplikimi për anëtarësim të jetë i suksesshëm”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës së Gjermanisë për Dukagjinin.
Sipas kësaj ambasade, hapi fillestar që do të duhej ta merrte Qeveria është dorëzimi i draft-statutit të Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese.
“Sipas mendimit tonë, një hap i tillë do të ishte dorëzimi i draftstatutit në Gjykatën Kushtetuese. Siç tha ambasadori Rohde në postimin e tij në Twitter pas votimit në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës: “Kosova tani duhet të bëjë punën e rëndë”. Kjo ende nuk ka ndodhur”, thuhet në përgjigje.
Në përgjigjen e ambasadës gjermane theksohet se ”i takon kryeministrit Kurti dhe qeverisë së tij që të bindin numrin e nevojshëm të shteteve me mjete të tjera, pra duke ndërmarrë hapa të tjerë konkretë drejt krijimit të ASMM-së, të cilën Kosova është zotuar ta themelojë dhe që për këtë arsye është obligim ndërkombëtar”./Demokracia