Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj. Donika Gërvalla në lidhje me raportimin e pasurisë së saj.
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi pas kësaj aktakuze ka reaguar në rrjetin e saj në Facebook duke thënë se ministrja Gërvalla ka qenë e suksesshme vetëm në tri gjëra.
“Donika Gërvallës, gruas që udhëheq me dikasterin më të rëndësishëm në fazën nëpër të cilën po kalojmë, i qenka ngritur aktakuzë nga Prokuroria. Ministrja e skandaleve ka qenë e suksesshme vetëm në tri gjëra: Terrorizimin e stafit të MPJD-së, De-funksionalizimin e Shërbimit të Jashtëm dhe Krijimin e skandaleve të njëpasnjëshme”, ka shkruar Musliu-Shoshi.
Musliu-Shoshi ka kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të ministres Gërvalla.
“Tashmë kur ndaj saj edhe është ngritur aktakuza, ministrja e skandaleve duhet ta ndërmarrë veprimin e vetëm që është dashur ta ndërmarrë përgjatë këtyre dy viteve të fundit: dorëheqjen e menjëhershme e të parevokueshme”, është shprehur ajo.
/Demokracia