Për deputeten e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Kollqakun, fenomeni i largimit të mjekëve nga Kosova, nuk është ashtu siç po proklamohet me pompozitet nga disa individë.
Ajo pretendon se mjekët nuk janë duke ikur nga Kosova vetëm për shkak të pagës, por edhe për shkak të kushteve të tjera.
“Mjekët nuk është se janë larguar vetëm për shkak të pagës, po kanë pasur edhe kërkesa të tjera. Nuk është e lehtë të jemi konkurrues me sektorin privat që është duke ofruar paga marramendëse dhe shtrohet pyetja si është e mundur kjo të ndodhë, për shembull me Gjermanin e cila tash po i liberalizon masat, tash njihen diplomat dhe jepen specializimet”, tha Kollqaku për Ekonomia Online.
Kollqaku konsideron që me vlerën e koeficientit prej 105 eurove, punëtorëve shëndetësorë pothuajse iu është dyfishuar paga.
“Për herë të parë mjekut është duke iu dyfishuar paga, kjo është një që duhet ta konstatojmë. Unë inkurajoj që në të ardhmen të jetë paga edhe me e lartë për stafin, për infermierët, për stafin tjetër sepse unë i vlerësoj shumë punën e punëtorëve shëndetësorë. Por, ne do të punojmë edhe për përmirësimin e kushteve të punës dhe krijimin e mundësive për edukim të vazhdueshëm profesional që është tepër e rëndësishme, ndarja e specializimeve, kjo është një pako”.
Por, Federata e Sindikatave të Shëndetësisë është shprehur e zhgënjyer me vlerën prej 105 euro të koeficientit të pagave.
Kjo federatë ka dalur me pesë kërkesa që të nisin me urgjencë negociatat për Kontratën Kolektive Sektoriale e që shtesat prej 60 eurosh të vazhdojnë deri të shpallet fundi i pandemisë së COVID-19./Albaninanpost