Brenda një muaji, depoja e barnave në Ministrinë e Shëndetësisë në Prishtinë ka qenë dy herë cak i hajnave. Rasti i parë ka ndodhur më 10 nëntor, ku një 24-vjeçar ka vjedhur barna dhe pajisje nga kjo depo, që kapin vlerën e rreth 2 mijë eurove. Ndërsa rasti tjetër ka ndodhur të mërkurën në orët e mbrëmjes, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet e Sinjalit nga Ministria kanë bërë me dije se nga depoja janë vjedhur barna nga tre persona, dy prej të cilëve Policia ka arritur t’i kap, ndërsa i dyshuari tjetër ka ikur nga vendi i ngjarjes. Te njëri nga të dyshuarit që u kapën mat, janë gjetur barnat e vjedhura, që janë konfiskuar nga ekipi i Forenzikës.
Dy të dyshuarit janë shoqëruar në stacion policor, teksa kanë nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen edhe të personit të tretë.
Ndaj personave të arrestuar, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim për ndalim prej 48 orës, ndërkohë që hetuesit po kryejnë veprimet e nevojshme hetimore lidhur me rastin. Sipas informacioneve të para që ka Sinjali, njëri nga të dyshuarit që u ndalua është shtetas i Maqedonisë së Veriut.
Ende nuk dihet nëse ky rast ka ndërlidhje me rastin e kaluar, por ajo që ka ngritur shqetësim është se si kanë arritur hajnat që të hyjnë brenda depos së MSH-së dhe se a janë marrë masa për fuqizimin e sigurisë fizike të depos.
Sinjali do të ju mbajë të informuar për detajet e reja./Sinjali