Dëmtohet aparati për tërheqjen e dokumenteve personale në Zveçan

- in Lajme

Në Zveçan, të hënën është raportuar se ekrani i aparatit që shërben për tërheqjen e dokumenteve personale që gjendet në afërsi të Qendrës së Regjistrimit të Automjeteve është dëmtuar.

Lajmi është bërë i ditur përmes raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës.

“Ankuesi kosovar ka raportuar se nga persona të panjohur është dëmtuar ekrani i aparatit që shërben për tërheqjen e dokumenteve personale që gjendet në afërsi të Qendrës së Regjistrimit të Automjeteve. Rasti është duke u hetuar nga njësitet kompetente policore”, thuhet në raportin 24 orësh.

Rasti është cilësuar si “Asgjësim, dëmtim ose heqje e instalimeve publike”.

Në Mitrovicë të jugut, janë raportuar dy raste të vjedhjeve të rënda.

“Ankuesi kosovar ka raportuar se (pasi është kthyer nga Perëndimi), ka vërejtur se persona të panjohur pasi kanë depërtuar me forcë në shtëpinë e tij, aty kanë vjedhur orendi shtëpiake dhe pajisje amvisërie e gjësende tjera, si dhe kanë shkaktuar disa dëme nëpër shtëpi”.

“Lidhur me rastin është informuar edhe prokurori, ndërsa njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe janë duke hetuar rastin”.

Edhe për rastin e dytë nga policia është thënë se kanë nisur hetimet.

“Viktima mashkull ka informuar se persona të panjohur me forcë kanë depërtuar në shtëpinë tij dhe nga aty i kanë vjedhur një pushkë gjuetie, për të cilën posedonte leje të skaduar, ndërsa  në shtëpinë e tij  janë gjetur dhe  konfiskuar 108 copë fishekë. Është njoftuar prokurori, rasti në procedurë hetimore”.

Ndërsa, sa i përket grabitjes që ka ndodhur në Prishtinë, nga policia është thënë se rasti vazhdon të jetë në hetime.

“Viktima mashkull kosovar, në një pikë shitëse ka raportuar se gjersa ai ishte në vendin e tij të punës, një i dyshuar   duke e kanosur me armë i ka grabitur para nga arka dhe është larguar nga vendi i ngjarjes. Rasti është duke u hetuar nga njësitet kompetente policore”.

Më 31 janar, policia kishte bërë të ditur se është dëmtuar edhe shenja e stemës së Kosovës, e cila ishte e vendosur në fshatin Zhitkovc të Zveçanit./Demokracia