Deputetja Blerta Deliu-Kodra është shprehur e bindur se do të ketë persona të rinj të zgjedhur në kryesi dhe këshill të përgjithshëm. Sipas saj, Partia Demokratike e Kosovës ka nevojë për reformim, por duke e ruajtur bazën e partisë.
Ajo para fillimit të konventës zgjedhore ka theksuar se e kanë obligim dhe borxh që të vijojmë procesin e reformimit dhe të kuptojmë gabimet që i kemi bërë si subjekt politik.
Deliu-Kodra: Jam e bindur që do të ketë njerëz të rinj
“Unë jam e bindur që do të ketë njerëz të rinj, sepse procesi zgjedhor që po ndodhë ka për qëllim po ashtu që të ofrojë një platformë të re të PDK-së, një program të ri për PDK-në dhe një qasje të re të subjektit tonë në opozitë dhe një ekip të ri. Ne e kuptojmë që PDK ka nevojë që të reformohet. Jemi të vetëdijshëm për procesin që po kalon vendi dhe do të jemi pjesë e këtij reformimi duke e ruajtur gjithsesi bazën tonë që është lindja dhe ADN-në e PDK-së, UÇK-ja”, ka deklaruar ajo.
Më tej, ajo ka shtuar se procesi zgjedhor në të cilën po kalon PDK ka qenë i shpejt dhe i jashtëzakonshëm për shkak të rrethanave të partisë. E pyetur për garën brenda partisë, ajo ka theksuar se se ka pasur thirrje publike që të jenë pjesë të garës edhe persona të tjerë, por që i vetmi kandidat i konfirmuar ka qenë Memli Krasniqi. /KP