Sjellja e zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, ndaj zyrtarëve të Bashkimit Evropian (BE) është e papranueshme, tha të enjten zëdhënësi i bllokut, Peter Stano.
“Ne shpresojmë se zoti Bislimi do t’i vlerësojë përpjekjet, në vend që, në mënyrë të pabazë, t’i akuzojë zyrtarët e BE-së. Një sjellje e tillë është e papranueshme” ka thënë Stano.
Të mërkurën, Bislimi tha se e refuzoi një ftesë të Brukselit për të biseduar lidhur me çështjen e ndalimit të dinarit serb në Kosovë dhe e akuzoi të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë për shkelje të parimeve.
Bislimi tha se Lajçaku, me dërgimin e kësaj ftese, kishte shkelur “parimet që i ka vendosur vetë”, pasi sipas tij, “është hera e parë që ai ka caktuar një takim pa pajtim paraprak me palët dhe është munduar që të përcaktojë agjendën përkundër parimet që ai ka vendosur në vitin 2021, që asnjë temë nuk vendoset në agjendë pa pajtimin e palëve”./Demokracia