Deputetja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Dude Balje, e cilësoi të padrejtë urdhrin administrativ që nuk lejon bartjen e shamisë nëpër shkolla, raporton Gazeta Sinjali.
Në një intervistë për Euronews Albania, Balje tha se për vajzat myslimane shamia është një mënyrë jetese, është diçka e natyrshme nga e cila nuk duhet të privohen.
“Feja në islam nuk bëhet me dhunë dhe presion, për ta është diçka normale. Ata nuk dinë të jetojnë pa shami, në fund të ditës ne kemi një fëmijë që në shtëpi jeton me shami dhe ne i themi nëse do të edukohesh, duhet të heqësh shaminë”, tha Balje.
Ndryshe, një debat i madh është hapur për çështjen e lejimit të shamisë në objektet arsimore. E gjitha filloi pas kërkesës së Durim Berishës, ish-këshilltarit të kryeministrit Albin Kurti, për shfuqizimin e udhëzimit administrativ që ndalon uniformën fetare në shkolla
E pasi u bë publike kërkesa e ish-këshilltarit të Kurtit, filloi një fushatë që kërkon heqjen e këtij udhëzimi adminsitrativ.
Nëpërmjet hashtagut “#ndryshojeni_ua_për_shaminë”, mijëra persona i janë bashkuar kërkesës për të shfuqizuar ndalesën ligjore që u bëhet vajzave me shami.