Ish-deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, e ka quajtur kryeministrin Albin Kurti “veteranin më të rrejshëm” në listat e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Të shtunën, gjatë ditës kryeministri Albin Kurti u shpreh se ka trefishim të numrit të veteranëve dhe shtroi nevojën për pastrimin e listave.
“Po thirren se është lista e fryrë, por neglizhojnë faktin se i kanë mekanizmat për pastrim të listave. Sa dalin vajtojnë në konferenca shtypi, le t’i marrin masat e le t’i pastrojnë listat e ai që është kundërligjshëm le të largohet e të sanksionohet. Ligji është i qartë. Por mendoj se ndër veteranët më mashtrues e më të rrejshëm në krejt këtë listë është Albin Kurti, që s’ka pas kurrë pushkën në dorë e gëzon statusin e veteranit. Veteran si Albin Kurti kanë qenë dy milionë qytetarë të Kosovës, se të tërë kanë qenë në luftë”, ka thënë Haradinaj./Demokracia