Raportuesja e Parlamentit Europian për Kosovën, Viola von Cramon-Taubadel, kundërshtoi se mund të krahasohet entiteti politik boshnjak Republika Srpska dhe Kosovës.
Eurodeputetja gjermane tha se shtetet e rajonit kanë punë për të bërë dhe shtoi edhe kritika për qeverinë gjermane të Merkel që nuk ka arritur të nënshtrojë ‘autokratët e Ballkanit Perëndimor’, përcjell Gazeta Metro.
“Nuk do të krahasoja Kosovën dhe Republika Srpska si një entitet në Bosnje dhe Hercegovinë, në asnjë mënyrë nuk do t’i ndërlidhja. Këto janë çështje të ndara dhe ne po merremi me Bosnjën dhe Hercegovinën ndaras nga dialogu Serbi-Kosovë. Nuk dua të spekuloj se entiteti Republika Srpska duhet të jetë shpërblim për lëshime të Serbisë për Kosovën. Këtë thjeshtë nuk e duam pasi ndarja u ndalua” ka thënë von Cramon për Al Jazeera Balkan.
Krizat e tanishme në Ballkanin Perëndimor dhe sfidat me të cilat po ballafaqohet i kujton Bashkimit Europian peshën e këtij rajoni për stabilitetin dhe sigurinë e përgjithshme të Europës.
“Shumë çështje ka në rajon, dialogu Beograd-Prishtinë dhe Bosnja e Hercegovina janë strukturore. Të dy çështjet kanë tërhequr vëmendje të madhe rishtas si ajo në veri të Kosovës dhe ajo institucionale në Bosnje e Hercegovinë. Për fat të keq, rajon i nuk është një vend më mirë, e as më afër Bashkimit Europian, përkundër përpjekjeve tona që sa më parë ta afrojmë në klubin europian“ tha von Cramon.
Eurodeputetja nuk pështjelli qëndrimin e saj rreth politikës gjermane rreth Ballkanit gjatë pushtetit të kancelares në shkuarje Angela Merkel dhe pritjet e saj nga qeveria e re.
“Strategjia e Angela Merkel në qetësimin e autokratëve ballkanas na solli deri në stabilokraci në vend të demokracisë dhe pluralizmit e kjo duhet ndryshuar. Negociatat për koalicion ende po vazhdojnë dhe ende nuk është e qartë kush do të ketë në dorë timonin e politikës së jashtme, por qasja e re, por qasja e re është padyshim diçka e re që do të vijë me qeverinë e re” sipas eurodeputetes von Cramon.