Për kryeministrin Albin Kurti, Gjykata Kushtetuese është institucion i thirrur për të bërë vlerësimin e kushtetutshmërisë së Statutit të Zajednicës, që tashmë e ka pranuar nga 5 emisarët më 21 tetor 2023 dhe është vetëofruar ta nënshkruajë më 26 tetor.
Por, Gjykata Kushtetuese si institucion që ka autoritetin e vetëm në Kosovë për të vlerësuar edhe kushtetutshmërinë e ligjeve që nxjerrë Kuvendi i Kosovës, sipas Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes, nuk bënë të shfrytëzohet nga partitë opozitare edhe pse Kushtetuta e Kosovës u jep të drejtë së paku 10 deputetëve që t’i drejtohen asaj brenda një afati prej 8 ditësh nga dita kur Kuvendi miraton një ligj të caktuar, shkruan Demokracia.com.
KUR KURTI E SHEH KUSHTETUESEN SI KOMPETENTE TË VETME
Më 27 tetor 2023, vetëm një ditë pasi takoi 5 liderët evropianë (Scholz, Macron, Meloni, Michel, Borrell) para të cilëve u vetëofrua ta nënshkruajë edhe Statutin për themelimin e Zajednicës, Kurti nuk kishte guximin të garantonte qytetarët e Kosovës se ky dokument është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Këtë përgjegjësi, si rrallëherë, e la nën autoritetin e Gjykatës Kushtetuese.
“Drafti për vetëmenaxhim, që e kanë sjellë, është shkruar me kujdes ndaj shkronjës dhe Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës dhe që nëse do të nënshkruhej, aty parashihej që ta kontrollonte Gjykata Kushtetuese menjëherë, pra që Gjykata Kushtetuese jep vlerësimin për kushtetutshmërinë e këtij propozimi si përgjigje”, tha ai në një konferencë për media.
Edhe një javë më pas, më 3 nëntor 2023, nga foltorja e Kuvendit të Kosovës, kryeministri Kurti refuzonte të tregonte nëse kjo Zajednicë është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.
“Nga një kënd procedural, nuk dua të jap qëndrim juridik për përputhshmërinë e draftit me Kushtetutën. Atë e jep Gjykata Kushtetuese siç e parasheh qartë draft-statuti [i Zajednicës/Asociacionit]”, deklaronte Kurti.
KUR KURTI E SHEH KUSHTETUESEN SI INSTRUMENT TË OPOZITËS PËR TA MBROJTUR SHTETIN E KAPUR
Ndryshe nga ajo kur bëhet fjalë për Zajednicën, Kurti nuk e sheh të nevojshme punën e Gjykatës Kushtetuese kur deputetët opozitarë kontestojnë kushtetutshmërinë e ligjeve të propozuara nga Qeveria e tij.
Në një publikim në faqen e Lëvizjes Vetëendosje, më 19 dhjetor 2023, partia e Kurtit është treguar e ashpër jo vetëm me opozitën, por edhe Gjykatën Kushtetuese.
Në reagimin e Vetëvendosjes ndaj partive opozitare, Gjykata Kushtetuese bëhet pjesë e skemës që mbron shtetin e kapur, të fuqishmit e ekonomisë dhe privatizimit.
“Opozita e pa alternativë, vazhdon ta shfrytëzoj Gjykatën Kushtetuese për ta mbrojtur shtetin e kapur dhe për t’i mbrojtur të fuqishmit e ekonomisë dhe privatizimit”, thuhet në reagimin e VV-së, ku listohen edhe disa nga ligjet për të cilët opozita është ankuar në Kushtetuese.
Jo vetëm nga adresa e partisë, por kritika ndaj opozitës që shfrytëzon rrugën ligjore për të kontestuar ligjet ka bërë edhe vetë kryeministri Albin Kurti, duke e akuzuar atë si përpjepjkje për të “paralizuar reformat”.
“Në historinë 15-vjeçare të shtetit të pavarur të Kosovës nuk mbahet në mend që kaq shumë ligje të jenë kontestuar në Gjykatën Kushtetuese brenda një kohe kaq të shkurtër. Kontestimi i tyre është përpjekje dëshpëruese për paralizim të reformave”, deklaronte Kurti më 22 shkurt 2023. /Demokracia.com/