Çka ndodhë tash me sheshin “Xhorxh Bush”, tregon nënkryetari i Prishtinës

- in Lajme

Nënkryetari i Prishtinës Alban Zogaj, ka konfirmuar se sheshi në rrugën “Xhorxh Bush”, do të mbetet i mbyllur për automjete private. Por sipas tij, nga 8 janari në atë pjesë do të hapet vetëm një korsi në të cilën do kalojnë vetëm autobusët dhe automjetet e emergjencave.

Ai ka sqaruar se plani i kryetarit Përparim Rama, është që sheshi të vazhdohet deri te Posta e madhe, por që më vonë do të kenë një plan të detajuar.

“Kryetari Rama ka thënë që sheshi do të zgjatet deri tek Posta aktualisht deri aty ku po ndërtohet Xhamia, por fillimisht ne do të vazhdojmë me idenë që sheshi do të zgjatet deri tek Katedralja, por edhe aty pas 8 janarit ne e lirojmë një korsi për qarkullimin e autobusit, për qarkullimin e veturave të emergjencave në mënyrë që qarkullimi të lirohet pak sa. Kemi marr kritika gjatë këtij muaji, por kemi marr gjithashtu edhe të dhëna se ky i kemi fytet e ngushta në mënyrë që të punojmë në ato drejtime”.

Shkaktar i kolonave në kryeqytet sipas Zogajt janë veturat që vijnë në Prishtinë, e që numri i tyre është mbi 130 mijë vetura në ditë.

E zgjedhja e këtij problemi sipas nënkryetarit është që këto veturat që vijnë në kryeqytet të parkohen në periferi të qytetit dhe qytetarët të përdorin mjete të tjera alternative të transportit.

“Ne mendojmë që zgjidhja e kolonave është që veturat që hyjnë në Prishtinë e që janë 130 mijë vetura në ditë që hyjnë në Prishtinë nga jashtë Prishtinës të parkohen në periferi. Pra ne po insistojmë që veturat që vijnë nga jashtë Prishtina të mos hyjnë deri në qendër, në momentin që ato parkohen jashtë qendrës qytetarët do të futen në qendër me mjete alternative siç janë autobusët, biçikletat publike, trotinetet elektrik e kështu me radhë”.

“Po planifikojmë jemi duke punuar në projektime që këto parkingje të drejtohen sa më shpejt në periferi të qytetit në mënyrë që ne ta zgjidhim këtë problem. Këtë problem e zgjidh edhe pak edhe parkingu që u hap në qendër të qytetit tek Katedralja, do të insistojmë që ‘Prishtina Parking’ të zgjerohet më shumë në periferi, në mënyrë që veturat hyrëse të ndalen sa më larg qendrës”, tha ai për EO.

/GazetaSinjali/