Çitaku i kundërpërgjigjet presidentes: Paska gjetur kohë të mirret me mua, e jo me problemin e ngritur nga unë

- in Lajme

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku i është kundërpërgjigjur presidencës së Kosovës në lidhje me reagimin e këtyre për kritikat pasi presidentja Osmani nuk reagoi (deri pasditen e së premtes) për vërshimet në vend.

Çitaku përmes një shkrimi në llogarinë e saj në Facebook, ka thënë se “kufijtë e Kosovës i ka larë me gjak UÇK-ja.”

“Kufijtë e Kosovës i ka larë me gjak UÇK-ja, ndërsa unë i kam përshkuar me këmbë si një vajzë e re gjatë luftës. Për Kosovën dhe Republikën që e gëzojmë sot kemi dhënë djersë, gjak, familijarë e të afërm.” – ka thënë ajo.

Mes tjerash, ish-ambasadorja ka shkruar se Kosovën e pavarur, “presidentja e ka trashëguar”.

“Kosovën e pavarur e sovrane Presidentja e tanishme e ka trashëgu. Ndërkohë, Presidentja paska gjetur kohë të mirret me mua, e jo me problemin e ngritur nga unë. Njerëzit e mëdhenj mirren me ide e kauza. Të vegjëlit mirren me njerëzit e tjerë.” – tha ajo.

Ndërkohë, këshilltari për media, Bekim Kupina, pak më herët në një reagim e përmendi pikërisht çështjen e kufijve.

“Presidentja çdo ditë punon për qytetarët e Republikës, ndaj deklaratat absurde, siç është kjo e znj. Çitaku sot, tregojnë se ka të tillë që pikërisht kur duhet të mbrohet interesi qytetar, nxiten nga interesa të ngushta me qëllim që ta sulmojnë presidenten. Për dallim nga znj. Çitaku, presidentja e vendit e di shumë mirë edhe kush janë qytetarët e Republikës së Kosovës, por edhe ku janë kufijtë e Republikës së Kosovës. Presidentja Osmani, gjithnjë është me qytetarët dhe punon gjithnjë për interesin e qytetarëve dhe të shtetit!”, ka shkruar Kupina në profilin e tij në “Facebook”.

/GazetaSinjali/