Derisa numërimi i votave të kandidatëve për deputetë dhe verifikimi i atyre të subjekteve politike po vazhdon edhe sot në tri komuna të Kosovës, Prishtinë, Pejë dhe Leposaviq, njohës të proceseve zgjedhore konsiderojnë se fillimi i muajit mars pritet të na gjejë me rezultate të certifikuara të zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Profesori universitar për çështje juridike, Mazllum Baraliu thotë se nuk ka ndonjë afat se kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet t’i certifikojë rezultatet.
Por, shton se kjo varet edhe nga numërimi, rinumërimi dhe ankesat e kandidatëve për deputetë.
“Është një çështje që varet nga shumë indikatorë dhe faktorë. E para varet nga procesi i numërimit, rezultateve, rinumërimit eventual, ankesave, riankesave, procedurave të organeve administrative si PZAP dhe Gjykata Supreme… Nuk ka ndonjë afat aty, por varet nga shumë faktorë nga puna, efektiviteti nga mos pengesa nga jashtë siç ndodhi me depërtimin në sistem të faktorëve të jashtëm qëllimkëqij ”, theksoi Baraliu.
E Vullnet Bugaqku nga Instituti Demokratike i Kosovës (KDI), konsideron se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet deri në fillim të muajit mars t’i certifikojë rezultatet e zgjedhjeve të përgjithshme.
E po të mos ishin telashet teknike me sistem, thotë se KQZ edhe më herët do të mund t’i certifikonte këto rezultate.
“Do të kishte një përfundim më të shpejt sikurse sistemi dhe softweri të punonte me efikasitet që nga momenti… i mbylljes së kutive të votimit dhe vendvotimeve të votave, por meqenëse patën 2 ditë probleme të fillimit të numërimit të votave të kandidatëve unë besoj që afati do të jetë pak a shumë i njëjtë sikurse në vitin 2021. Pra, do të sillen kah fillimi i muajit mars ne veçse do t’i kemi rezultatet e certifikuara nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve”, theksoi Bugaqku.
Monitoruesi i proceseve zgjedhore tregon se në vitin 2019 KQZ-së i janë dashur mbi 50 ditë për certifikim të rezultateve, derisa kohë më pak i është dashur në vitin 2021.
“Marr parasysh trendin e zgjedhjeve parlamentare në Kosovë dhe certifikimit të rezultateve jo çdo herë ato janë kryer brenda afateve ta themi ashtu të arsyeshme kohore. Në vitin 2019 KQZ iu janë dashur 52 ditë që të vije deri tek certifikimi i rezultateve zgjedhore për faktin se ka pas një mori të ankesave si nga ana e partive, ashtu edhe nga ana e kandidatëve për deputetë në atë kohë… Më pak të tilla ka pasur në vitin 2021 ku sipas një analize që ne e kemi bërë 27 ditë kohë i ka marr kohë KQZ-së që është brenda suazave të normales që brenda 30, veçse duhet të certifikohen rezultatet zgjedhore. Besoj që edhe sivjet marr për bazë edhe trendin… Afatin e determinon dhe e përcakton shumë edhe mënyra e procedimit të parregullsive që mund t’i kenë kandidatët për deputetë”, u shpreh Bugaqku.
Procesi i numërimit pas ditës së zgjedhjeve të 9 shkurtit nisi me dy ditë vonesë për shkak të telasheve teknike.
Nga dje Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur edhe publikimin e rezultateve për kandidatët për deputetë në platformën e tyre.
Sipas rezultateve aktuale, në këto zgjedhje parlamentare partia fituese është Lëvizja Vetëvendosje me 40.89 %, pas saj renditet Partia Demokratike e Kosovës me 22.40 %, pasuar nga Lidhja Demokratike të Kosovës me 17.23 %. Koalicioni AAK-NISMA ka marr 7.40 % të votave, ndërsa Lista Serbe 4.81 %./Demokracia