Një çift që jetonte pranë një parku kombëtar në Italinë qendrore tha se hajduti i dyshuar që dëgjuan në ballkonin e tyre, doli të ishte një ari i murrmë i rrezikuar.
Annalisa Castagna tha në një postim në Facebook se ajo dhe burri i saj, Claudio Paravano, menduan se ndonjë hajdut ishte në ballkonin e tyre në Pescosolido, një fshat në kufi me Parkun Kombëtar të Abruzzo, kështu që dolën jashtë për të hetuar.
Castagna tha se hetimi doli të ishte “një takim i afërt me ariun. Ne ishim ballë për ballë, më pak se një metër larg”.
Gruaja tha se ishte aq afër ariut sa mund të “numëronte të gjithë dhëmbët që kishte ai në gojë, plus gjuhën e kuqe”.
Castagna iku përsëri brenda në shtëpi, por Paravano përfundoi duke u hedhur nga ballkoni për t’i shpëtuar ariut. Ai tani po shërohet nga një thyerje e legenit, tha Castagna.
Kryebashkiaku i Pescosolido, Donato Bellisario, tha se parku është shtëpia e rreth 60 arinjve marsikanë të rrezikuar. Ai shtoi se autoritetet vizituan ballkonin e çiftit në përpjekje për të përcaktuar se çfarë e tërhoqi ariun në shtëpinë e tyre, por nuk ishin në gjendje të identifikonin ndonjë shkak të mundshëm.
Një ari marsikan u pa vetëm disa ditë më parë në fshatin e afërt San Donato Val Di Comino. Ariu u fotografua duke u larë në një shatërvan në një kopsht publik. Ishte e paqartë nëse i njëjti ari ishte përgjegjës për të dyja pamjet.